Paris San Zhermen ka ambicie të qarta për të fituar titullin në Francë dhe Champions League në Europë. Ndërkohë, në radhët e grupit, Kilian Mbape po stërvitet rregullisht me PSG-në. Ylli francez pati 10 ditë pushim pasi u kthye nga Kupa e Botës dhe luajti dy ndeshje me parisienët. Lionel Mesi u kthye po ashtu dhe shënoi gol në fitoren 2:0, të mërkurën ndaj Angersit. Nejmari, i cili u përlot në eliminimin e Brazilit nga Kroacia në çerekfinale të Botërorit, u kthye më herët te PSG-ja. Por në ndeshjen e parë pas Botërorit mori karton të kuq ndaj Strasburgut. Në udhëtimin te Renesi, të dielën nga ora 20:45, të tre yjet pritet të jenë të gatshëm për lojë. Ndeshja Renes – PSG i takon xhiros së 19-të të Ligue 1. Parisienët po fitojnë lehtësisht në kampionat dhe po shkojnë drejt një tjetër titulli në Francë. Objektivi kryesor mbetet Liga e Kampionëve. Në një të tetën e finales, PSG-ja do të luajë kundër Bajernit. Ndeshja e parë luhet më 14 shkurt në Paris. Mbape, Mesi dhe Nejmari kanë shënuar 48 gola për Parisin në këtë edicion. Përballë do të kenë Renesin, që ka fituar tetë ndeshjet e fundit në shtëpi.








































