Rama i pakënaqur me strukturat, hap sondazhe për kandidatët për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë, ia la përzgjedhjen e tyre në “dorë” qytetarëve, ja çfarë po ndodh në prapaskenë

0
144

Edhe pse Partia Socialiste ka “ndezur” para kohe motorët për zgjedhjet vendore të 14 majit socialistët do të nisin zyrtarisht punën për këto zgjedhje pasi të reflektojnë thellë në një proces restarti të shpejtë. Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarët më të lartë të PS kanë shfaqur hapur ambicien për të korrur një fitore plebishitare në zgjedhjet e 14 majit, shefi i selisë rozë ende nuk e ka konfirmuar ekipin me të cilin do të dalë përpara qytetarëve për të kërkuar votën. Gazeta “SOT” ka mësuar se kryesocialisti Rama ua ka bërë të qartë të gjithë socialistët që aspirojnë për të garuar si kandidat për kryetar bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë, që në listën do të hyjnë vetëm ata që do të japin aq sa duhet dhe jo aq sa munden. Në thuajse 10 vite qeverisje, nuk kanë munguar pakënaqësitë brenda Partisë Socialiste, teksa pas kërkesës së fundit të Ramës, pritet të ketë edhe përplasje të tjera brenda mazhorancës. Pasi për të shkuar drejt një suksesi më 14 maj, kryeministri e di që dera e PS duhet të jetë e hapur për rikthime dhe figura të reja, ndërkohë që emrat që gëzojnë popullaritet dhe simpatinë e qytetarëve do të futen në garë. Mësohet se për të mësuar më shumë rreth kandidatëve dhe kryetarëve aktual bashkiakë që mund të rikandidohen në zgjedhjet e ardhshme vendore, socialistë kanë hapur sondazh, ku padyshim që vlerësimi i qytetarëve do të ndikojë shumë në cilindo që ka shfaqur apo do të shfaq ambicien për të garuar nën siglën e Partisë Socialiste në 14 maj.

Balla jep detaje

Ndërkohë detaje rreth riorganizimit të PS për zgjedhjet lokale të 14 maj, ka dhënë dje edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, lajmëroi nisjes e fazës përzgjedhëse për anëtarët e Këshillit Bashkiak. I pyetur dje nga mediat për zgjedhjen e kandidatit në Fier për zgjedhjet lokale të 14 majit, Balla theksoi se po zhvillohen sondazhe, por ende nuk ka asnjë vendim final, ndonëse pak ditë më parë la të kuptohej se i zgjedhuri ishte sërish Armando Subashi. “Ka një proces, PS nuk është një fraksion brenda PD që tallen me njëri-tjetrin. Kemi një histori, nuk konsultohemi dot vetëm me veten. Ata pyesin vetëm veten sepse e dinë që nuk fitojnë. U mblodhën këtu në Fier, edhe u ankua. Kemi përzgjedhur sondazhin dhe po vlerësojmë kryetarin aktual dhe të tjerë, do vlerësuar puna. Edi Rama është i pari që është i pakënaqur nga puna që është bërë. Objektivi im kryesor është shfrytëzimi i bregdetit. Do e ndërtojmë rrugën e Semanit. Ne duhet që të çojmë turistët tek deti”, deklaroi Balla.

PS komenton arrestimin e Klosit

Ndërkohë kreu i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në komunikimin e tij për mediat nga qyteti i Fierit, e cilësoi një “llum” ish-shefen e kabinetin në Ministrinë e Financave, Alda Klosi, ashtu siç bëri edhe kryeministri Edi Rama në reagimin e tij lidhur me ngjarjen. Në fjalën e tij, socialisti e cilësoi hetimin ndaj saj, fakt që drejtësia po funksionon duke e quajtur hetimin ndaj Klosit provë se përpara ligjit të gjithë janë njësoj pavarësisht zyrës apo statusit politik. “Para 5-6 vitesh, kur kryeministri Edi Rama, unë apo dhe të tjerë, flasim për reformën e drejtësisë. Shumë media apo dhe të tjerë i shihnit me dyshim. Çdo ditë do të kemi lajme se drejtësia po funksionon. Kemi ardhur në një fazë të re të drejtësisë dhe ky është një lajm i mirë. Llumi duhet pastruar. Unë mendoj që kjo diçka që e mirëpret çdo qytetar, pastaj se sekretarja e kujt, kujt i përket apo çfarë, i takon drejtësisë. Duhet të mësohemi se kemi diçka dhe unë flas si kreu i grupit parlamentar. Unë çdo gjë që kam pasur akuzë, e kam çuar dhe kam denoncuar. Edhe në rastin në fjalë, unë nuk kam asgjë me pyetjen, mendoj që ka ardhur koha që të presim hetimet”, nënvizoi kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here