Zbardhet roli i Berishës dhe familjarëve të tij në ngjarjen e Gërdecit, nga eliminimi i Kosta Trebickës dhe deri tek akuzat e SHBA se sabotoi hetimet, ja provat që nuk u hetuan kurrë

0
187

Një aferë kriminale e 14 viteve më parë, më tragjikja që ka prodhuar korrupsioni i nivelit të lartë në historinë e pluralizmit shqiptar, me protagonistë në prapaskenë Shkëlzen dhe Sali Berishën, që solli si pasojë 26 viktima, plagosjen mbi 200 personave dhe rrafshimin e rreth 300 shtëpive e bizneseve, ka vënë në lëvizje SPAK-un, i cili dje ka marrë zyrtarisht në hetim ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun. 12 vjet pasi Gjykata e Lartë mbylli rrugët për ndëshkimin e kokave që kishin ideuar dhe kopsitur letrat për Gërdecin, si dhe në një kohë kur vetingu ka “palosur” shumicën e gjyqtarë “ushtarë” të Sali Berishës, SPAK ka kërkuar dje të marrë të pandehur Fatmir Mediun. Nuk ka deri më sot prova apo dyshime që Mediut të ketë përfituar personalisht të ardhura nga biznesi i demontimit të municioneve në Gërdec, por e kundërta duket se është me ish-kryeministrin Berisha, i cili ka qenë pas zhytur kokë e këmbë në këtë aferë, së bashku me familjarët e tij. Tabulatet telefonike janë prova më e fortë që konfirmojnë se Shkëlzeni ishte njeriu kyç në historinë e Gërdecit, ndërkohë që gazeta “SOT” po pasqyron sot rolin që ka pasur kreu i “Foltores”, duke filluar nga dyshimet se Kosta Trebicka u eliminua me urdhër të ish-kryeministrit, tek akuzat e SHBA se Berisha se sabotoi hetimet, prova këto që nuk u hetuan kurrë dhe që në rast hetimi, ato pritet të fundosin kryefoltoristin.

Vrasja e Kosta Trebickës

Zhdukja enigmatike e Kosta Trebickës, dëshmitarit kyç për Gërdecin, vijon edhe sot e kësaj dite të mjegullojë dhe errësojë me dyshime dhe pikëpyetje ngjarjen më të rëndë të pluralizmit shqiptar.  Kosta Trebickës ishte i pari që denoncoi Sali Berishën dhe familjarët e tij në gazetën Neë York Times, ndërsa solli edhe gazetarin e “New York Times” në Gërdec. Artikulli për trafikun e armëve drejt vendeve në konflikt dhe Afganistanit u botua dy ditë pas shpërthimit. Ndërkaq, Kosta Trebicka ishte njeriu që denoncoi edhe të birin e Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, si njeriu që drejtonte në prapaskenë biznesin familjar në Gërdec. Sipas tij, ministrat konsultonin me Shkëlzenin çdo urdhër, ndërsa baxhanaku i Berishës vepronte në punishte.

Akuzat e SHBA

Më pas raportet mes Berishës dhe ambasadës amerikane shkuan në skaj. Ish-ambasadori Xhon Uidhers akuzoi Berishën për sabotimin e hetimeve. “Reagimi i qeverisë ndaj tragjedisë së Gërdecit mbetet një prej dështimeve të saj më të mëdha. Nuk duhet harruar kurrë se në radhë të parë Gërdeci është një tragjedi njerëzore. Njerëzit humbën të dashurit e tyre, përfshirë fëmijët, në një ngjarje që mund të përshkruhet vetëm si një akt kriminal. Është një përgjegjësi themelore e qeverisë që të garantojë që drejtësia të vihet ne vend dhe që viktimat e kësaj bëme të tmerrshme të shohin, që ata që mbajnë përgjegjësinë ligjore e morale për këtë krim, të japin llogari për veprimet e tyre. Por, qeveria shqiptare jo vetëm që ka neglizhuar zbardhjen e të vërtetës së Gërdecit, por në fakt, ka ushtruar në maksimum pushtetin e saj, për të mos lejuar që e vërteta të dalë në shesh”, ka deklaruar Uithers.

Ushtarakët denoncojnë punimet e paligjshme në Gërdec

Sali dhe Shkëlzen Berisha, në rrugën për realizimin e aferave financiare, janë përballur me njerëz që kanë kundërshtuar shkeljen e ligjit dhe që kanë denoncuar veprimet arbitrare. Komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, denoncoi tek Fatmir Mediu dhe ish-shefi i Shtabit, Luna Hoxha, prishjet e paligjshme të godinave ushtarake në Gërdec nga kompania e Delijorgjit, për të ndërtuar fabrikën e vdekjes. Kjo shkresë, e cila u injoruar, tregon se gjithçka po bëhej në mënyrë jo të rregullt dhe nën ndikimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila në këtë rast punonte për një biznes, për të cilin ishte interesuar Familja Berisha.

Kabllogrami i Ambasadës Amerikane për ankesën e ushtarakëve

13 muaj pas shpërthimit, në 17 prill 2009, Ambasada Amerikane në Tiranë i nis një kabllogram Departamentit Amerikanë të Shtetit për Gërdecin, ku ndër të tjera i raporton se “Mendohet se në atë kohë, komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, i dërgoi një letër shqetësimi për të informuar ish- Ministrin e Mbrojtjes, Mediu dhe ish- Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha kur zbuloi se kompania e Delijorgjit “Trans Digging Construction” po shkatërronte godinat në ish- repartin e tankeve në Gërdec pa asnjë leje të shkruar nga Ministria e Mbrojtjes. Letra e tij nuk mori kurrë përgjigje apo ndonjë veprim. Përveçse ofroi më shumë prova se Mediu e kishte favorizuar në mënyrë ilegale Delijorgjin në vendimet për demontimin, historia nxjerr në pah përfshirjen e një tjetër personi nga orbita e ngushtë e Berishës- Balliu. Kur u përhapën fjalët e para për lidhjet e Balliut me Delijorgjin, Balliu mbajti një konferencë për shtyp në fillim të prillit për të mbrojtur veten…”.

Në skenë del Rrahman Selmanllari, “vëllai” i Shkëlzenit

Historia nuk mund të ishte kaq e plotë pa Rrahman Selmanllari, i konsideruar edhe si “vëllai” i Shkëlzen Berishës. Selmanllari, i cili në atë kohë në atë kohë përfaqësonte Shkëlzen Berishën në transaksione biznesi apo pasurish të patundshme, u shfaq si përfaqësues i kompanisë amerikane SAC (Southern Anmmunition Company), e cila kishte lidhur kishte lidhur një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gërdec. Me autorizim të presidentit të kësaj kompanie, Patrick Henry, Selmanllari ka përfaqësuar veprimtarinë e kësaj kompanie në Gërdec.

Ish-shefi i Shtabit Luan Hoxha: Shkëlzeni më bëri presion!

14 muaj pas Gërdecit, në 17 qershor 2009, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, Luan Hoxha, i sapo shkarkuar, i kërkon një takim me urgjencë me ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, për të rrëfyer të vërtetën e Gërdecit. Takimi dhe rrëfimit reflektohet në një kabllogram sekret që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit, tre ditë më pas, në 20 qershor 2009. Në kabllogram shkruhet se Luan Hoxha ishte ankuar se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dorëzonte municion të kalibrit të lartë në Gërdec dhe pa vonesa.  Sipas kabllogramit “ndryshe nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ia hedh fajin e Gërdecit ushtarakëve, Hoxha deklaron se nga këndvështrimi i tij, Mediu mori të gjitha vendimet që nga zgjedhja e Gërdecit për të shkatërruar municionet, tek çfarë lloj municionesh do të përdoreshin, në çfarë kohe dhe cili do të ishte programi. Hoxha thotë se stafi i tij kishte për detyrë vetëm transportimin e municioneve dhe të ruanin perimetrin e jashtëm, asgjë tjetër. Ai shpjegon se Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit i kishte bërë presion që “të vazhdonte të dorëzonte municione të një kalibri më të lartë në Gërdec” dhe këtë gjë “ta kryente pa vonesa”. I pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Hoxha u përgjigj: PO”. Më pas Berisha e shpalli armik ambasadorin amerikan, madje përmes Ilir Metës, tentoi ta dëbonte nga Shqipëria, por kërkesa e Metës si ministër i Jashtëm u refuzuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ndërkaq, Luan Hoxha mori azil politik në SHBA.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here