Media prestigjioze britanike The Guardian në artikullin e saj “Evropa duhet të bëjë më shumë” ka analizuar situatën dhe ngjarjet e tensionuara që kanë ndodhur së fundmi midis Prishtinës dhe Beogradit. Nëse Marrëveshja e Brukselit e cila lidh autonominë politike të serbëve të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nuk zbatohet këtë vit rreziku i një konflikti do të jetë i pashmangshëm dhe mëse real. Nëse diçka e tillë do të ndodhte pasojat do të ishin shumë serioze dhe kolosale, kjo do të çonte në një krize të re refugjatësh. Mosmarrëveshjet lokale çuan në vendosjen e barrikadave në veriun e Kosovës, i cili banohet kryesisht me serb. Këto mosmarrëveshje janë bërë shkak që marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të jenë në nivelin më të ulët në 20 vitet e fundit. Nga ana tjetër Beogradi gëzon mbështetjen e Kremlinit dhe refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.
Kapaciteti i komplikuar i BE-së për ndërhyrje
Gjithashtu bëhet me dije se kapaciteti i Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar është i komplikuar, për shkak të varësisë së Serbisë nga gazi rus, por edhe refuzimit të Beogradit për të vendosur sanksione ndaj Moskës. Por nëse marrëveshja e Brukselit e firmosur në vitin 2013 nuk zbatohet përfundimisht këtë vit rreziku i një konflikti të pashmangshëm është real. Nëse kjo do të ndodhte, pasojat do të ishin serioze. Kujtojmë gjithashtu se samiti i BE-së-Ballkanit Perëndimorë që u mbajt në Tiranë në fillim të dhjetorit u mblodh për të dërguar një mesazh simbolik. Ky samit i cili ishte frytdhënës,ishte i pari që u mbajt në një rajon, popullsia e të cilit, në pjesën më të madhe, dëshiron t’i përkasë “klubit të Brukselit”, por ka filluar të dyshojë se nëse kjo do të ndodhë ndonjëherë.
Një rënie në shkallët e shqetësimeve gjeopolitike
Pak javë më vonë, Bosnja dhe Hercegovina mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Një zhvillim i tillë nuk është aspak e lehtë të shpjegohet. Tensionet dhe zhvillimet që ndodhin në Ballkanin perëndimor janë shqetësime gjeopolitike për Evropën, e cila kohët e fundit ka qenë e përqëndruar në luftën e Ukrainës. Rusia, e cila dëshiron të përfitoje nga kjo krizë me qëllim për të zgjeruar ndikimin e saj në këtë rajon në kurriz të BE-së dhe NATO-s, po përdor në favorin e saj paqëndrueshmërinë politike. Prandaj është shumë e nevojshme që Perëndimi të rifokusohet në këtë rajon, por “duke pasur parasysh kontekstin e errët”, por tashmë më shumë se fjalë të ngrohta duhen vepra konkrete. Guardian thekson se situata në Bosnje Hercegovinë është gjithashtu e zymtë pasi nga njëra anë Moska i jep mbështetje agjendës shkëputëse të liderit nacionalist serb të Bosnjës Milorad Dodik, ndërsa nga ana tjetër Kremlini njëkohësisht ushqen nacionalistët kroatë të Bosnjës, të cilët janë po aq të vendosur për të konsoliduar. Këto bëjnë që të thellohen ndarjet etnike të përfshira në Kushtetutën e vendit. Një çështje tjetër që nxjerr në pah gazeta është dhe roli dhe ndikimi i Kinës në rajon. Duke marrë parasysh rolin gjeopolitike dhe ndikimin në rritje të investimeve kineze në rajon, Bashkimi Evropian duhet të forcojë rolin e tij. Në të njëjtën kohë, suksesi i partive anti-emigracion, Islamofobe në vende si Franca dhe Holanda do të thotë se zgjerimi drejt lindjes është jorealist për të ardhmen e parashikueshme.
Rajoni nuk duhet të jetë i kthyer nga lindja
Në Serbi mbështetja për anëtarësim në BE ra nën 50%, për shkak të presionit ndaj Beogradit për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Pas vitesh neglizhencë BE- ja akoma mund të ndikoje dhe të hedhë hapin e duhur. Pa u anëtarësuar në Union, duhet të ofrohet shumë më tepër ndihmë ekonomike. Në këmbim të përparimit në reformat për korrupsionin, sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes, një qasje vërtet e angazhuar mund të gjenerojë vullnetin e mirë të nevojshëm për të qetësuar tensionet rajonale dhe për të respektuar vlerat demokratike. Ndërsa alternativa e padëshiruar nga të gjithë është që të lejohet që rajoni strategjik të shikojë nga lindja më shumë se sa nga perëndimi duke fuqizuar kështu forcat joliberale etno-nacionaliste dhe duke avancuar axhendën e Kremlinit në oborrin e pasmë të Evropës.


































