Tirana, kampione në fuqi e Superligës dhe një prej skuadrave pretendente për të fituar titullin edhe këtë edicion, po kalon një moment të vështirë. Lajmi që FIFA i ka bllokuar llogaritë bankare për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj lojtarëve me të cilët ka shkuar në gjyq, po e dëmton rëndë imazhin e klubit dhe njëherësh ka sjellë stres e kaos në radhët e bardhebluve. Situate duket alarmante dhe për faktin se lojtarët bënë seancën e parë të bojkotit, duke e nisur vitin e ri 2023 në mënyrën më të keqe të mundshme dhe duke e vendosur Tiranën para fakteve kokëforta që tregojnë dobësinë e saj. Klubi s’mund të bëjë merkato aktive e asnjë lloj merkatoje, pasi është i bllokuar nga FIFA, nga ana tjetër, mos dhënia e rrogave në kohë ka sjellë bojkotin stërvitor. Në këtë situatë, për një klub që është kampion në fuqi lindin probleme, që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në objektivat madhore të klubit. Për momentin drejtuesit janë duke ideuar të gjejnë zgjidhje, por këtë zgjidhje mund ta sigurojnë vetëm bashkëpunimi me FSHF-në ose Bashkinë e Tiranës.
Situata
E ku ka një start më të keq për vit të ri sesa ai i Tiranës, një skuadër që merr lajme negative nga brenda dhe nga jashtë në harkun kohor të pak ditëve. Në fakt, viti 2023 nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme te Tirana, pasi skuadra ka përjetuar një situatë të pazakontë për një klub si ai bardheblu i cili nëpërmjet pjesëmarrjes në Europë ka siguruar të ardhura të rëndësishme nga UEFA. Skuadra ka bojkotuar stërvitjen e parë të vitit pasi nuk është paguar në kohë nga drejtuesit, duke krijuar një situatë që nuk ishte përjetuar te kampionët në fuqi në vitet e fundit. “Panorama Sport” ka mësuar se futbollistët nuk kanë dalë në stërvitje e parë që ishte planifikuar ditën e djeshme, pasi kanë kërkuar që të paguhen për dy muajt e fundit. Mësohet se kjo është vonesa që klubi u detyrohet atyre, ndërsa për stafin teknik dhe mjekësor, vonesa arrin deri në 4 muaj rroga të padhëna.
Bllokimi nga FIFA
FIFA nuk ka sjelljen e Federatës Shqiptare të Futbollit kur është puna tek zbatimi i rregulloreve. Nëse FSHF e shkel njërin sy kur është puna tek detyrimet e klubeve, nisur nga njohja e gjendjes financiare të tyre, në FIFA nuk ka tolerim, përkundrazi, pritet ndëshkimi dhe në këtë pikë nuk ka asnjë ekuivok. Problem këtë herë në FIFA është bërë Tirana që nuk ka shlyer detyrimet ndaj lojtarëve që janë ankuar e për këtë arsye FIFA i ka bllokuar llogaritë e njëherësh i ka vënë bllok për merkaton e janarit. E thënë ndryshe, Tirana s’mund të bëjë lëvizje që do ta ndihmonin të fitonte avantazhe në performancë në raport me rivalët në kampionat. Pritet që drejtuesit të vihen në lëvizje për të zgjidhur sa më parë këtë telash, para se situata të bëhet problematike duke rrezikuar të pasqyrohet edhe në fushën e lojës. Paralelisht me ngërçin me lojtarët, Tirana është e bllokuar edhe nga FIFA dhe nuk mund të bëjë merkato, pasi i janë bllokuar llogaritë bankare për shkak të mospagesave të detyrimeve ndaj ish-futbollistëve.