Çinari “tradhton” Partizanin, shkodrani firmos me Shkëndijën e Tetovës

0
298

Klubet që synojnë trofeun këtë sezon duken në renditjen e Superiores, e ku padyshim Partizani bën diferencë, pasi ndodhet 4 pikë i shkëputur nga ndjekësi më i afërt, Tirana e vendit të dytë. Por të kuqtë kanë pasur problem gjatë 15 javëve të para me sulmin, repart që nuk duket të jetë mjaftueshëm efikas sa do të dëshironte klubi. Për këtë arsye Partizani është hedhur në merkato për të gjetur një bomber, pavarësisht se ka në përbërje një lojtar si Skuka që është në rritje të vazhdueshme. Vëmendja përqendrohet tek lojtarët që e njohin ambientin e një prej emrave të lakuar ishte Erald Çinari. Por ky i fundit e shtyn rikthimin në Superiore. Pasi prishi kontratën me klubin turk të Samsunsporit, shkodrani zgjedh të vijojë karrierën në Maqedoninë e Veriut, me Shkëndijën e Tetovës. Nga mediat sportive mësohet se sulmuesi 26-vjeçar ka firmosur me kuqezinjtë nga Tetova dhe zyrtarizimi do të vijë në ditët e ardhshme. Çinari ishte objektiv për Partizanin dhe të tjerë klube të Superiores, por në fund e ka bindur oferta e Shkëndijës. Krahas Çinarit, drejtuesit e Shkëndijës kanë arritur marrëveshjen edhe me ish-mesfushorin e Kombëtares Shqiptare, Kamer Qaka, i cili ka qenë edhe më herët pjesë e kuqezinjve dhe tani do të rikthehet sërish. Ndërkohë, Dashmir Elezi ka lindur në Tetovë dhe është rritur te Shkëndija. Pjesë e ekipit të zemrës u bë në nëntorin e vitit 2020. Edhe pse vetëm 18 vjeç, sulmuesi numëron 68 ndeshje në total në të gjithë kompeticionet dhe 10 gola. Elezi ka luajtur me të gjithë kombëtaret e moshave të Maqedonisë së Veriut, teksa prej qershorit është pjesë e U-21. Karriera e tij do të vijojë në futbollin gjeorgjian. Shkëndija ka gjetur gjuhën e përbashkët me Torpedo Kutaisi për 100 mijë euro, ndërkohë që Shkëndija ka ruajtur edhe 15% të kartonit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here