Busti dhe varri i Mit’hat Frashërit, diplomat dhe shkrimtar i madh shqiptar, janë shkatërruar gjatë natës, duke u zbardhur 23 dhjetori. Busti i tij është rrëzuar nga vendi ku qëndronte, ndërsa është thyer dhe pllakata e varrit. Por në lidhje me këtë ka reaguar edhe drejtori i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, Uran Butka, i cili në një prononcim për mediat akuzoi forcat enveriste si autore të aktit të shëmtuar të dhunimit të memorialit të Mid’hat Frashërit te kodrat e Liqenit të Tiranës, pranë vëllezërve Frashëri. Madje, historiani i njohur e krahasoi këtë akt vandal të njëjtë me atë të inkuizicionit mesjetar. “Dhunimi e shkatërrimi i memorialit të Mid’hat Frashërit, këtij personaliteti të shquar të atdhetarizmit, kulturës dhe historisë shqiptare, është një atentat i rëndë dhe i dënueshëm, një vepër penale, që duhet zbardhur nga organet kompetente… Është një akt i shëmtuar i forcave të errëta enveriste, i kryer fshehurazi në mesnatë, me qëllime të mbrapshta, me prerje koke dhe me shkatërrim të varrit si në inkuizicionin e mesjetës, ose në komunizmin ekstrem, kur u prish varri i Gjergj Fishtës dhe eshtrat e tij u hodhën në lumin Drin apo masakrimet monstruoze të personaliteteve të shquara të kombit”, deklaroi ai. Ndërkohë, zoti Butka theksoi se një dhunim i tillë nuk mund të zhbëjë aktivitetin e gjithanshëm të Mid’hat Frashërit në shërbim të atdheut në të gjitha pozicionet që ka shërbyer. “Ata që thyen bustin dhe dhunuan varrin e Midhat Frashërit, nuk mund të rrëzojnë dhe dhunojnë tanimë vlerat njerëzore, kombëtare dhe ndërkombëtare, përkushtimin e tij ndaj lirisë, kulturës dhe pavarësisë së Shqipërisë, duke qenë pjesëmarrës dhe protagonist ne ngjarjet kryesore të historisë së Shqipërisë dhe të drejtave të njeriut në Evropë, njëherësh edhe njeriu i diturisë dhe librit, shkrimtar, studiues, publicist, filozof, përkthyes, albanolog, historian, sociolog, politikan, diplomat i shënjuar shërbëtor i Shqipërisë. Ata që rrëzuan në mesnatë bustin dhe dhunuan varrin e tij, nuk mund të rrëzojnë dhe dhunojnë veprën e jashtëzakonshme të Mid’hat Frashërit, figura e të cilit vlerësohet dhe lartësohet çdo ditë e më shumë si shqiptar i madh dhe evropian”, nënvizoi historiani i njohur, Uran Butka.


































