Plot 31 vjet nga rënia e komunizmit dhe 37 vjet nga vdekja e diktatorit Enver Hoxha ka ende debat për komunistët dhe antikomunistët. Nga njëra anë incidente me fotografitë e Enver Hoxhës për çdo 28-29 nëntor dhe dhunimi së fundmi i memorialit të Mit’hat Frashërit, apo foto të Sali Berishës në krah të Hoxhës, nga ana tjetër demokratë që zgjohen dhe kërkojnë dekomunistizimin, si dhe rezervat që anëtarët, drejtuesit dhe ish-drejtuesit e Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, si Agron Tufa, Çelo Hoxha dhe Uran Butak që kanë për luftën partizane. Por ish-deputeti Spartak Braho ka një shpjegim për këtë dhe mendimin e tij objektiv e ka ndarë gjatë një interviste për gazetën “SOT”, teksa shigjeton ata që sot njihen si kundërshtarët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
– Zoti Braho, javën që shkoi u dëmtua busti i Mit’hat Frashërit diku tek Liqeni Artificial. Keni një koment të freskët apo ekstra, pasi një opinion të përgjithshëm e keni thënë në intervistën e kësaj të hënë për gazetën “SOT”?
Po, unë fola për ju këtë javë, por kam një koment shtesë, i cili është se këto akte vandale nuk duhet të kenë vend nëshoqërinë tonë. Pra, unë e dënoj këtë incident, paçka se kam rezervat e mia për Mit’hat Frashërin sa i takon qasjes së tij politike dhe vënies nëshërbim të okupatorit serb.
-Si gjithmonë jeni shterues. Por pas këtij incidenti ka pasur reagime të ashpra nga “ballistët”, të cilët akuzojnë komunistët dhe enveristët se kanë kryer dhunimin e bustit të Mit’hat Frashërit. Më i ashpër ka qenë uran Butka, Artur Roshi apo edhe deputeti i “Foltores” Agron Shehaj. Si ju duken këto deklarata?
Shiko, kjo është një pyetje shumë interesante dhe që ka një ndjeshmëri të madhe, për shkak falsifikatorët si Uran Butka, Artur Roshi, Çelo Hoxha, Adriatik Alimadhi, Romeo Gurakuqi, kanë hedhur balët ndaj Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në veprimtarinë e tij, Instituti i Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ka shkelur rëndë ligjin me të cilin organizohet dhe do perifrazoj kryeministrin, i cili tha larg duart nga vitet 41-45. Neofashistët e tipit, Butka, Rroshi, Tufa e Çela kërkonin nëpërmjet artificave të glorifikonin bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit, të deheroizonin LANÇ-in dhe heronjtë e saj. Zotërinjtë Butka, Tufa dhe Hoxha tashmë, e kanë kthyer institutin në celulë të Ballit Kombëtar me plot gojën. Jo vetëm se janë mbledhur aty me kokrra, por po luajnë me zjarrin, duke shkelur ligjin dhe shpërdoruar LANÇ, të cilët nuk e bëtë ju as soji ju. As Milodin Popovic e as Dushan Mogosha, siç shpreheni vetë. Luftën e bënë bijtë e këtij vendi, partizanët e partizanet edhe ata ballistë që pas 24 majit u rreshtuan në rreshtat partizane si dhe koalicioni i madh antifashist sovjeto-anglo-amerikanë që kanë varret këtu tek ne së bashku me varret e mijëra dëshmorëve partizanë. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare nuk ishte luftë civile por luftë patriotike dhe çlirimtare. Nuk ishte kriminel Spiro Moisiu, Muhamet Prodani, Memo Merto, Raman Perllaku, Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Nazmi Rrushiti, Heronjtë e Vigut e mijëra të tjerë. Tufa, Hoxha dhe Butka kanë shkelur ligjin, duke mbrojtur ballistët dhe hedhur baltë mbi LANÇ. Ballistët dhe zogistët hileqar kanë qenë që në luftë dhe hileqar janë edhe tani në demokraci.
-Pse ky mllef ndaj Uran Butkës dhe Çelo Hoxhës…
Çelo Hoxha është një nga zgjedhjet më të gabuar që ka bërë bordi i atij instituti. Që do të vihej sërish një ballist në krye të atij instituti, kjo nuk vihej në dyshim. Por që të vihej një ballist ekstremist si Çelua, kjo ishte befasuese. Mund të ishte zgjedhur në atë post fjala vjen Erald Kapri, i djathtë edhe ky, por pa ngarkesat negative të Çelos. Sepse Çelua ngado që ta marrësh, është njeri problematik dhe diskreditues për një institucion shtetëror. Jo se ishte krahu i djathtë i Agron Tufës, por për shumë qëndrime ekstreme dhe të papranueshme që ka mbajtur publikisht. Agron Tufa është lule përpara këtij psikopati neonazist dhe fashist i zgjedhur drejtor i Institutit të Studimit të të Përndjekurve nëpërmjet një procedure të falsifikuar dhe jo ligjore, që megjithëse u denoncua nga unë tek drejtuesit e Kuvendit dhe Kryeministri, nuk u largua sepse ishte kuadër i Uran Butkës një falsifikator tjetër ky i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ndërkohë, sa i takon Uran Butkës ai është një komunist i thekur që si hipokrit si është bën sikur është anti-komunist. E di pse e them këtë, pasi ai ka mbajtur radhë dhe qante kur vdiq Enver Hoxha, ndërkohë që tani sulmon enveristët.
-Dakord, po a ka ndonjë gjë tjetër që e rëndon pozitën e Çelos në krye të atij Instituti?
Po, ka. Çelo Hoxha është zgjedhur si pasues i Tufës me manipulim të votave brenda bordit të Institutit. Si është bërë manipulimi? Jonila Godole ka votuar dy herë, pasi Gëzim Peshkëpia, anëtar i bordit, nuk ka qenë në mbledhje dhe ia kish deleguar votën e tij nga SHBA asaj. Kjo mendoj se është një shkelje dhe duhet parë me kujdes statuti i institutit se deri ku shkon përgjegjësia. Populli thotë se me vesi del me shpirtin. Ai institut është akuzuar për vjedhje dhe manipulime të rëndë, si të historisë, ashtu dhe të fondeve shtetërore, që në të vërtetë janë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Dua të theksoj edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme. Në të gjithë këtë histori manipulimesh të bën përshtypje dhe të lë një shije të keqe heshta dhe indiferentizmi nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit. Ata, pavarësisht se i kanë marrë vesh të gjitha që nga arratisja e Tufës dhe deri te zgjedhja e Çelos, bëjnë të paditurin, të heshturin, indiferentin. Kjo është e pafalshme! Çfarë fshihet pas këtij qëndrimi? Opinioni duhet ta dijë. Unë si deputet nuk mund të hesht.
-Ndërkohë sikundër e cekëm edhe më sipër, në krye të bordit të atij Instituti është zoti Uran Butka. Çfarë do t’ thoshit atij në këtë rast?
Po, e kam një mesazh edhe për Uranin. I drejtohem atij me këto fjalë: Po mirë more zoti Uran Butka, si nuk tu tha goja dhe dora që propozove dhe firmose një vendim të atij gjysmë bordit tënd për të bërë drejtor të institutit të halesë së Ballit Kombëtar një karçin të vithisur e të çakërdisur si Çelo Hoxha? A nuk kishe djem më të mirë aty që të merreshin me “krimet dhe kriminelet e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”? Turp të kesh, o pseudohistorian që falsifikuat edhe firmat e votimit me dorën e Godoles, për t’ia futur Erald Kaprit. Po ke shkelur ligjin edhe ti, o derëzi. Po Butkajt janë derë e fisme thuhet. Nga ngjave ti kështu? Të ka plasur cipa fare dhe s’ke gajle. Por nuk ke as moshë të korrigjohesh, o profesor i të KEQES!