Zbardhen të tjera detaje të bujshme sa i takon misterit të zhdukjes së bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Prej disa muajsh ka pasur lajme të ndryshme dhe madje kontradiktore, se çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn, ku disa thonë se ai është eleminuar nga armiqtë e tij të shumtë që i përkasin politikës dhe botës së krimit, ndërsa ka zëra se ai ka inskenuar vrasjen apo vdekjen e tij, me qëllim që të shpëtojë nga objektivi dhe hakmarrja e kundërshtarëve që i ka me shumicë. Por në kulmin e këtyre debateve dhe kësaj telenovele, ku secili thotë versionin e tij për fatin e shumë të kërkuarit Ervis Martinaj, duke filluar nga mediat, deri tek politikanët, bashkëpunëtorët e Martinajt apo familjarët dhe policia, kanë dalë në dritë detaje të bujshme.
Skema
Gazeta “SOT” ka mësuar nga burime pranë Policisë së Shtetit se Ervis Martinaj është gjallë, ndërkohë që ndihmën atij ja ka dhënë një ish-ministër i qeverisë “Rama”, për shkak të miqësisë së tyre dhe interesave të forta që i kanë bërë bashkë. Mësohet se disa ditë përpara se Martinaj të shpallej në kërkim policor, ish-ministri socialiste, i cili ka pasur shumë pushtet në duar ka zhvilluar takime të shumta me bosin e lojërave të fatit në një vilë në bregdet dhe në disa raste janë takuar edhe në ambientet e një lokali të njohur në qendër të Tiranës. Mësohet se në këto takime ish-ministri socialist dhe i shumëkërkuari Martinajn kanë hartuar planin për të shpëtuar këtë të fundit, nga një eliminimi që mund t’i bënin kundërshtarët e tij, por edhe për ta shpëtuar nga arrestimi. Në këtë kontekst, burime të sigurta nga policia i pohuan gazetës se ish-anëtari i qeverisë i ka dhënë Ervis Martinajt plot 400 mijë euro (jo se ai kishte nevojë për para, por si detyrim) dhe një pasaportë me identitetet tjetër për ta shpëtuar nga hakmarrja e armiqve, që i kanë hapur luftë në dy fronte, sikundër janë personazhet e botës së krimit dhe shteti, që e kërkojnë për shkak se dyshohet se ai u “ka shkelur në kallo”, duke futur hundët ku si takonte. Pra, nisur nga këto të dhëna jozyrtare nga Policia e Shtetit, shtohen dyshimet se bosi i lojërave të fatit, jovetëm që është gjallë, por ai në këtë telenovelë është ndihmuar nga një ish-ministër për t’ia hedhur paq nga kjo vorbull ku ishte zhytur dhe skema kriminale ku ishte përfshirë. Thënë troç, përveçse çoroditjes mediatike dhe kulisave, fakti që Martinaj është ndihmuar nga një ish-ministër përbën skandal. Megjithatë nisur edhe nga aksioni i djeshëm policor për të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, mbetet të shihet në ditët në vijim se si qëndron e vërteta dhe ku ndodhte bos i lojërave të fatit.
Reagon Klodiana Lala
Nga ana tjetër, dje edhe gazetarja Klodiana Lala ka folur për Ervis Martinajn, duke dhënë detaje nga bizneset që ai kontrollonte, lidhjet e forta dhe fuqinë e madhe financiare që posedonte. E ftuar në një studio televizive, Lala deklaroi se Martinaj para se të zhdukej, kishte një pasuri të jashtëzakonshme, po merrte tendera dhe familja e tij kishte nisur planet për ndërtimin e një resorti në Kune Vain. “Ervis Martinaj nuk ishte personazh dosido, por një personazh shumë kompleks, një djalë i shkolluar me background të mirë shkollimi, me një familje shumë të mirë, i vendosur në Fushëkuqe. Nuk nisi nga rruga. Martinaj erdhi nga auditoret e universitetit, në botën e krimit. Martinaj ishte mbreti i një biznesi që qarkullon miliona dhe miliarda euro, që janë bastet. Ishte njeri me potencial të jashtëzakonshëm financiar. Kishte lidhje shumë të forta politike. Filloi të goditej kur u ngrit furtuna për operacionin “Fundi i marrëzisë”. Ai nisi të kishte përplasje edhe në botën e krimit. Ngjarja e parë për të cilën ai u dyshua ka qenë Elvis Doçi, një ndër njerëzit e përfshirë në lojërat e fatit dhe njihej për afërsinë e tij me ish ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri. Që nga ai moment Martinaj mund të konsiderohej si peshk i madh i krimit të organizuar. Më pas, Martinaj, kur krijoi hasmëri me disa grupe njëherazi, u vu në shënjestër. Përse reagoi Edi Rama? Mënyra si ka reaguar herën e parë, i kërkonte policisë që nëse është i vrarë, ta deklarojë dhe nëse është i zhdukur ta çojnë para drejtësisë. Martinaj ishte në shoqërinë e një efektivi policie, tre ditë para zhdukjes. Martinaj po merrte tendera, po ngrinte ndërtesa. Familja e tij po ndërtonte një resort në Kune Vain. Ishte personazh i cili po kontrollonte gjithë aksin nga Tirana, Fushë Krujë dhe Fushëkuqe. Ishte futur dhe kishte krijuar, kishte dhunuar shumë kundërshtarë. Vëllezërve Duka u mori babain dhe ua dhunoi, ata i vranë krahun e tij të djathtë, ish-policin Malko”, deklaroi Lala.