Mesfushori me origjinë shqiptare që luan për përfaqësuesen e Belgjikës (nuk ishte i grumbulluar me belgët në Botërorin e Katarit), Adnan Januzaj, ka dalë në treg dhe pritet të zgjedhë skuadër të re në merkaton e afatit kalimtar dimëror. Janë vetë mediat sportive spanjolle që shkruajnë se Januzaj pritet të largohet nga skuadra e Seviljes gjatë afatit kalimtar të janarit, por jo edhe nga kampionati spanjoll. “AS” ka bërë të ditur të hënën se interesim për Januzajn tashmë ka shfaqur skuadra e Vilarealit. Mësohet se Vilareali po kërkon huazimin e Januzajt deri në fund të sezonit me opsionin e blerjes së kartonit të tij në verë. Te Vilareali po e shohin Januzajn si zëvendësim të duhur për Arnaut Danjuman, i cili në janar pritet të transferohet tek Aston Vila në Angli. Januzaj këtë edicion iu bashkua Seviljes si lojtar i lirë, por nuk ka bindur me paraqitjet e tij dhe klubi është i gatshëm ta largojë. 27-vjeçari deri më tani ka vetëm gjashtë ndeshje apo 125 minuta lojë në të gjitha garat dhe nuk bën pjesë në planet e trajnerit Jorge Sampaoli. Ai ka kontratë me Seviljen deri në vitin 2026. Situatat që po ndodhin në kampionatin spanjoll mund të përshpejtojnë lëvizjen e Januzajt.