Gjatë një mbledhje plenare maratonë që zgjati afro gjashtë orë të premten më 16 dhjetor 2022, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP zgjodhi prokurorin Altin Dumani si drejtues të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Votimi u krye pasi tre prokurorët kandidatë, Adnand Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili paraqitën platformat e tyre për mënyrën se si do të drejtonin SPAK, si dhe u intervistuan prej anëtarëve të këshillit. Dumani u emërua si drejtues i SPAK për tre vitet e ardhshme me pesë vota të 10 anëtarëve të Këshillit të pranishëm.
Ndërhyrja e Yuri Kim dhe Fatmir Xhafës
Por çfarë fshihet në prapaskenë? Në media dhe në korridoret e politikës u përfol për një përplasje të fortë mes qeverisë “Rama” dhe amerikanëve, për shkak se socialistët synon të kapnin institucionin e SPAK, duke katapultuar në krye të saj një “besnik” të tyre, por në fund kryeministri Rama e humbi betejën me amerikanët dhe një nga shkaqet e forta ishte ndërhyrja e deputetit të PS, Fatmir Xhafaj, i besuari i SHBA që në momentin kur “lindi” SPAK në Shqipëri. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se kryeministri Rama kishte marrë premtimin nga shumica e anëtarëve të KLP se votat e tyre do të shkonin për Edvin Kondilin, por rilindasit nuk do të ishin kategorikisht kundër as për Adnan Xholin. Por ndërhyrja e menjëhershme e amerikanëve me Yuri Kim dhe puna “underground” e Fatmir Xhafës nxori “jashtë loje” Ramën. Xhafaj shfrytëzoi influencën e tij tek anëtarët e KLP.
Mesazhi i fortë i Fatmir Xhafës dhe Yuri Kim
Ish-ministri i Brendshëm e tregoi qartë dhe me mesazhin e fortë që publikoi pas zgjedhjes së Altin Dumanit në krye të SPAK. Dumani ishte i preferuari i amerikanëve. Xhafaj vlerësoi procesin transparent për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme, teksa thotë se e ndoqi nga afër të gjithë procesin. Por jo vetëm kaq. Ai lëshoi dhe një mesazh të koduar për politikën shqiptare, se koha kur drejtuesit e drejtësisë zgjidheshin kulsiave me zgjedhje klienteliste dhe kompromise e preferenca politike, ka ikur. “Çfarë diference me pak vjet më parë kur gjithçka bëhej kulisave, me zgjedhje klienteliste, kompromise e preferenca politike dhe vendimmarrje krejt të mbyllura”, shkroi Xhafaj. Në vijim të shkrimit deputeti socialist foli për besueshmëri ndaj SPAK. “Tri vjet të mjaftueshme për ta ngritur e fuqizuar institucionin e SPAK. Tashmë është koha për ta konsoliduar pavarësinë, përgjegjshmërinë, transparencën e eficencën e çdo prokurori dhe hetuesi në ushtrimin e detyrës përmes rezultatesh konkrete dhe të besueshme nga qytetarët!”, u shpreh Xhafaj. Nga ana tjetër dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim shkruajti se procesi i përzgjedhjes: “duhet të jetë i pa manipuluar nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë drejtësinë, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi”. Pra e gjithë beteja dhe presioni u zhvendos mbi votat e anëtarëve të KLP-së të cilët duhet të zgjedhin më shumicë atë që do të duhet të drejtojë për tre vitet e ardhshme SPAK-un.
Plas “lufta e heshtur” në PS
Pra në publik Partia Socialiste shfaqet e më e bashkuar se kurrë, por brenda saj ka plasur një luftë e fortë. Fatmir Xhafaj, prej kohësh në hije, sidomos pas mbijetesës më 21 prill kur theu listën e Tiranës me ndihmën e Erion Veliajt, e ka goditur dhe publikisht kryeministrin Edi Rama. Një qëndrim shumë i fortë, i egër, që tregon se së shpejti do të kemi një kacafytje të nivelit të lartë brenda mazhorancës. Xhafa nuk është një politikan grindavec që reagon me emocione, por ai i ka të menduara gjatë e të peshuara fjalët e ashpra që hedh në letër. Pikërisht duke ditur këtë lojë Yuri Kim shkruajti se procesi i përzgjedhjes: “duhet të jetë i pa manipuluar nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë drejtësinë, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi”. Pra e gjithë beteja dhe presioni sot është zhvendosur mbi votat e anëtarëve të KLP-së të cilët duhet të zgjedhin më shumicë atë që do të duhet të drejtojë për tre vitet e ardhshme SPAK-un.