Dosja e inceneratorëve duket se do të tronditë shumë politikanë dhe zyrtarët të lartë në Shqipëri, të përfshirë në këtë megaaferë korruptive, për shkak se është në fazën përmbyllëse të hetimit. I rrezikuari kryesor është ish-ministri socialist Arben Ahmetaj. Së fundmi janë bërë publike disa email-e që komprometojnë Ahmetajn, emri i të cilit figuron në disa fatura të paguara për llogari të tij, nga biznesmeni Klodian Zoto, në kërkim ndërkombëtar për inceneratorët, në së paku 8 hotele luksoze jashtë vendit.
Skema e Metës
Por ajo që vihet re është reagimi i ish-presidentit Ilir Meta dhe i bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi. Në deklaratat e tyre së fundmi kur janë pyetur për hetimet ndaj Ahmetajt, ata janë përpjekur ta shfajësojnë këtë të fundit, duke bërë thirrje që “koka” e aferës së inceneratorëve që duhet të arrestohet është kryeministri Rama. Skema e tyre është që të zhvendoset vëmendja e madhe që po i kushtohet nga media Ahmetajt. “Letrat dhe faktet janë shumë të qarta. Paska dalë një problem me zotin Ahmetajn? Gishti në plagë është Edi Rama kryeministër. Dhe të shohim ato që lëshon Edi Rama me ata të vetët, jo fjeti ky këtu, jo fjeti ai atje. Me ato të merret SPAK”, tha Meta. Por pse ish-presidenti po përpiqet që “të shpëtojë” Ahmetajn? Gazeta “SOT” sipas burimeve nga Partia Socialiste e deklaroi pak kohë më parë se Rama dhe Ahmetaj janë prishur, pasi ky i fundit ka punuar kundër socialistëve dhe ka flirtuar prej disa vitesh me Metën. Madje, i njëjti burim nga selia rozë, i tha gazetës se edhe dosjen e plotë të inceneratorëve, Monika Kryemadhit dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim disa ditët para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 ja dha pikërisht deputeti Ahmetaj, me synimin për të provokuar skandal dhe pse jo edhe rrëzimin e qeverisë. Gjithashtu pak javë më parë Ahmetaj është takuar me Ilir Metën së fundmi në Gjirin e Lalzit, nga ku burime thanë se ai është vetë ofruar që t’i bashkohet si deputet, Partisë së Lirisë.
Prova e fortë që rrezikon Ahmetajn
Pavarësisht ndërhyrjes së Metës për ta shpëtuar nga hetimet dhe personazheve të tjerë të implikuar në këtë aferë të madhe, situata po bëhet më e vështirë për ish-ministrin. Ahmetaj tha pak ditë më parë se dokumentet nuk janë origjinale. “Nuk janë dokumente origjinale. As kam udhëtuar e as kam përdorur kartën e ndokujt. Nuk kam asnjë lidhje me procedurën. Nuk kam udhëtuar kurrë me Zoton dhe as kam përdorur kartën. Një tufë me media i marrin të mirëqena letrat”. Por ditën e djeshme ka dalë një tjetër provë që rrezikon pozitat e tij. Hyrjet dhe daljet e Arben Ahmetajt, nëpërmjet sistemit TIMS rrëzojnë pretendimet e ish-ministrit socialist. Duke iu referuar provave që kanë dalë deri më tani, rezulton se udhëtimet e Ahmetajt janë në të njëjta data dhe destinacione sipas hoteleve që ka rezervuar shtetasi në kërkim Klodian Zoto. Në e-mailet e kompjuterit të Zotos, për të cilën prokurorët e SPAK nuk i panë, sipas kallëzimit që doli nga media, prova 2 tregon rezervimin e hotelit “Principe di Savoia” në Milano për datat 20 deri në 22 qershor 2014, për Arben Ahmetajn. Nëse i referohemi sistemit TIMS, ish-ministri ka udhëtuar pikërisht në këto data në Milano, pra ka shkuar në 20 qershor dhe është rikthyer në 22 qershor 2014 në Tiranë. Vijojmë me provën numër 3, për rezervimin e hotelit Mandarine në Milano, ku vetëm për 1 natë nis çmimi mbi 1500 euro. Data e rezervimit është 9 shtator 2016 për bashkëjetuesen e Ahmetajt, Erjola Hoxha. Nëse shohim sistemin TIMS, ish-ministri ka udhëtuar pikërisht në këtë datë drejt Milanos, në aeroportin e Bergamos në 9 shtator 2016. Në provën 4, Zoto ka rezervuar një hotel te “Sans Suice” në Vjenë për datën 21 shkurt 2014. Pikërisht në këtë datë, Ahmetaj udhëton drejt Vjenës, sipas sistemit TIMS. Në provën 5, te depozituar në kallëzim, flitet për një rezervim hoteli me 5 yje në Bukuresht, në datën 13 qershor 2017 mbërritje. Në sistemin TIMS, Ahmetaj ka dalë në datën 13 qershor 2017 nga pika kufitare e Kapshticës me makinën tip “Range Rover” me targa AA 908 PY, për të udhëtuar më pas nga Maqedonia e Veriut drejt Rumanisë.
SPAK mbylli sytë
Të gjitha udhëtimet e Arben Ahmetajt janë lehtësisht të verifikueshme, mjafton që dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi të verifikonin sistemin TIMS dhe të dërgonin një letër-porosi te hotelet ku ka paguar Zoto dhe ka qëndruar Ahmetaj me bashkëjetuesen e tij. Por mesa duket, dy prokurorët e SPAK që akuzohen për devijim hetimesh dhe shpërdorim detyre, nuk i kanë parë këto e-maile që fundosin ish zv/kryeministrin Ahmetaj.