Komisioni i Veprimtarisë ka dhënë dritën jeshile që gjobat që paguhen brenda 15 ditëve (nga 5 që rezulton sot) nga shkelësi do jenë pa kamatvonesë dhe me 50% ulje (nga 20% ulje që është sot). Po ashtu risi është shpejtësia e lejuar në autostradat shqiptare, e cila vendoset deri në 130 km/orë. Pritet votimi i ligjit në tërësi, por Partia Demorkatike është shprehur kundër duke thënë se nuk mund të votojnë pa pasur mendimin e Komisionit të Ligjeve. Deputeti i PD Helindon Bushati u shpreh se pa ardhur miratimi i Komisionit të Ligjeve, s’duhet të votojnë. “Te pjesa procedurale, kalendari i punimeve 22 nëntor 23 dhjetor, u parashikua që propozimet të kalojnë dhe te Ligjet. Kjo duket qartësisht në pikën 37. Dhe në këto kushte, pa ardhur miratimi i komisionit të ligjeve, ne s’duhet ta votojmë këtë. Për efekt procedural”, tha deputeti i PD Helidon Bushati. Ndërkohë, deputeti i PS Arben Pëllumbi u shpreh se janë bërë të gjitha ndryshimet nene për nen. “Ligjet na kanë thënë që ndryshimet e propozuara nga PD janë trajtuar si amendamente, dhe për këtë projekt ligj komisioni i ligjeve është shprehur. Ne I bëmë të gjitha ndryshimet nene për nen dhe ne e kemi thënë fjalën tonë. Ligjet për mendim janë, sugjerime. Ato i kanë dhënë njëherë”, tha Pëllumbi. Ndërsa deputeti i PD Lefter Gështenja u shpreh se numri i posteve në të gjitha rrugët duhet të jetë minimum 50% pa pagesë. Ai tha se për të mos lënë hapësira që pushteti vendor i kujtdo krahu qoftë, të mos abuzojë.“Numri i posteve në të gjitha rrugët duhet të jetë minimum 50% pa pagesë. Për të mos lënë hapësira që pushteti vendor i kujtdo krahu qoftë, të mos abuzojë, por ta sanksionojmë me kod. Mos themi me zona, por me rrugë, pasi me zona, pasi do ndodhi që në qendër të qytetit do jetë me pagesë dhe pjesa skajore do jetë pa pagesë, aty ku ka interes publiku pra bëhet me pagesë, jo! Tani dhe të ndahet me rrugë, gjysma e rrugës me pagesë, gjysma pa pagesë. Marrim një rrugë në Tiranë, që ka 100% rrugë me pagesë, jo ne e lëmë 50 me 50%, Nga bashkia s’kemi pasur ndonjë shkresë apo reagim për ta kundërshtuar”, u shpreh Gështenja.
Deputeti i PD: Shoferit tim iu mor patenta
Deputeti i Partisë Demokratike, Ramadan Likaj ka deklaruar se shoferit të tij i është marrë patenta pasi ka bërë një parakalim të gabuar, e këtë shkelje e ka justifikuar se kishte hallë. Ai tha se shpreson që të mos jetë veprim politikë, pasi sipas tij do të ishte absurde. “Para 2 muajsh makina ime në Fushë u Krujë u bllokua. Policia rrugore i merr patentën. Unë flas vetë me policinë rrugore, përgjigja ishte se ne s’kemi asnjë lloj mundësie, por lidhur me drejtorin e përgjithshëm të rrugëve. Makina është e deputetit, ka të gjitha kërkesat, parakalim i gabuar ishte shkelja…I nisa të gjitha të dhënat drejtorit të rrugëve dhe dënohet shoferi im me 10 muaj. Është e turpshme kjo! Unë dhe në këtë moment besoj e shpresoj të mos jetë veprim politikë. Është absurde. Nuk duhet të keqkuptohen. Kur ti paraqet një hall apo problem familjar… Kur na ndodh ne, çfarë ndodh me qytetarët, nëse nuk saktësohen disa detaje… Duhet të qartësojmë ndarjet, mos t’i lëmë gjërat evazive, që qytetarët të mos bien pre e abuzimeve”, tha ai. Mirëpo kryetari i Komisionit, Arben Pëllumbi tha se qëllimi është ky, që Kodi të jetë i barabartë për të gjithë. “Qëllimi i kodit është që para tij të jemi të barabartë të gjithë. Të sigurojmë jetën të parën. Parakalimin e gabuar mund ta bëjë kushdo, sjell shqetësim dhe pasoja të tjera më të rënda”, tha ai.