Nuk ka negociata për Serbinë drejt rrugës për në BE. Kjo është fatura që duhet të paguajë Serbia ndaj vendimit që mori për të mos vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse pas pushtimit të kësaj të fundit në territorin Ukrainës me 24 shkurt të këtij viti. Teknikisht Serbia pretendon se është gati për hapjen e grupit numër 3 dhe pritej qe në fund të dhjetorit të hapnin grupin numër 3 dhe më pas numrin 5 por kjo nuk ndodhi. Goditja e madhe për Serbinë nga Brukseli erdhi ditën e djeshme. Këtë vit nuk do të ketë një konferencë ndërqeveritare të BE-së me Serbinë si dhe nuk do të ketë grupime të reja.
BE paralajmëron Serbinë
Kjo nuk është diçka e papritur për Serbinë madje diçka e tilla pritej pasi zyrtarët evropianë shpeshherë kanë paralajmëruar me tone të larta që nuk do të ketë përparim në procesin e integrimit evropian derisa Serbia t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë ose thëne ndryshe derisa Serbia të harmonizoje politikën e jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së. Kjo ishte arsye se përse nuk u hap grupi numër 3, madje ministrja e atëhershme për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviç, deklaroi se ai grup nuk do të hapet sepse ne nuk i jemi bashkuar sanksione kundër Rusisë. Megjithatë,nuk është arsyeja e vetme dhe kyçe. Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Politikë Bashkëkohore dhe redaktor i portalit European Western Balkans Nemanja Todoroviç, Shtiplija, thotë se për të hapur një kapitull, raporti i Komisionit Evropian për progresin që doli në tetor duhet të jetë pozitiv.“Sa i përket kapitujve të caktuar që hapen brenda këtij grupi, por në radhë të parë përmes kapitujve 23 dhe 24 që i referohen sundimit të ligjit, si dhe kapitullit 35, pra dialogut me Prishtinën. Fatkeqësisht, ka edhe dy kushte që Serbia, me mosveprimin e saj, mund t’i ketë bërë ato dy tema të bëhen të rëndësishme.
Dy kushtet që Serbia nuk i plotësoi
Kushti i parë është gjendja e demokracisë në vend dhe i dyti kapitulli 31,politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë”. Këto të dyja e penguan Serbinë që të ndizet drita jeshile për në BE”, thekson Shtiplija. Këto ditë, media prestigjioze gjermane Deutsche Welle raportoi gjithashtu se shumë vëzhgues e shohin Serbinë si një lloj nëndetëse ruse në kolonën e BE-së. DË rikujton se presidenti serb refuzon të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Rusisë, edhe pse Serbia, kandidate për anëtarësim, do të duhej të harmonizonte politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian. Media gjermane solli në vëmendje dhe deklaratën e përfaqësuesit të lartë për politikën e jashtme në BE Josep Borrell i cili reagoi i zhgënjyer për Serbinë: “Ne nuk jemi më në gjendje ta pranojmë këtë. Kjo situatë duhet të marrë fund!”. Borrell iu referua hezitimit të Serbisë për t’i vendosur sanksione Rusisë. Kujtojmë që pak ditë më parë BE i bëri presion Serbisë pasi sipas diplomatëve evropian disa vende të BE-së nuk duan që Serbia të shpërblehet me vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Edhe Parlamenti Evropian, përmes një rezolute për strategjinë e re të zgjerimit, ka kërkuar që të kushtëzohen negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE me mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Qëndrimi i lëkundur i Vuçiçit
Në lidhje me çështjen e sanksioneve ndaj federatës ruse, vetë presidenti i Serbisë është shprehur “përderisa mund të durojmë pa rrezikuar interesat tona më jetike kombëtare dhe shtetërore, ne do të ndjekim politikën e përcaktuar me përfundimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Kur nuk mundemi, do t’u drejtohemi njerëzve tanë dhe do t’u themi pse nuk mundemi”, tha Vuçiç. Ai tha se Serbia e konsideron shumë të gabuar shkeljen e integritetit territorial të çdo vendi, përfshirë Ukrainën, por nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Vuçiç lexoi konkluzionet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilat theksohet se Serbia shpreh keqardhjen më të sinqertë për gjithçka që po ndodh në lindje të Evropës dhe se Rusinë dhe Ukrainën i konsideron vende mike, ndërsa rusët dhe ukrainasit si kombe vëllazërore.