Hetim i ri për tjetërsim të pronave në bregdetin e Lezhës, dyshohet se janë falsifikuar dokumentet për 200 dynym tokë, sekuestrohet hotel “Diella”

0
240

Hoteli i famshëm në Ishull Lezhë ‘Trëndafili Mistik’ i njohur si ‘Te Diella’ është vënë nën sekuestro preventive pas një kërkesë të Prokurorisë së Lezhës, pasi rezulton se është i regjistruar me dokumente të falsifikuara dhe i ndërtuar në një zonë të mbrojtur, e cila është tokë shtet. Sekuestrimi i hotelit është bërë pas nisjes së një hetimi që duket se ka zbuluar një tjetër rast të tjetërsimit të pronave në bregdetin e Lezhës. Prokurori Erion Shehaj mbi bazën e një kallëzimi të bërë në vitin 2017 nga një person me emrin Ardian Mlika ka regjistruar procedimin penal për veprat penale “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Shpërdorim të detyrës” dhe ka zbuluar një skandal me tjetërsimin e tokave. Nga hetimi i zhvilluar ka rezultuar e provuar se punonjës të administratës shtetërore kanë favorizuar regjistrimin e pasurive të paluajtshme për disa shtetas të cilët kanë përfituar në mënyre të paligjshme prona shtetërore në zonën e bregdetit nëpërmjet përgatitjes se akteve për marrjen e tokës në pronësi shtesë dhe të falsifikuara. Prokuroria thekson se këto prona shtetërore janë regjistruar në Kadastër me qëllim tjetërsimin tyre nëpërmjet shitjeve të njëpasnjëshme, disa prej të cilave fiktive, me qëllim humbjen e vëmendjes nga përfituesi fillestar i pronës. Sasia e pronave që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme, është rreth 200 dynym, prona këto të gjitha në bregun detit, me vlera të larta për turizmin, bregdeti Kune Vain.

Hetimet

Më tej sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, e cila ka bërë kërkesë “për vendosjen e sekuestros preventive”, thuhet se ndër personat që dyshohet të kenë përfituar tokë, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar, më shumë se sa u ka takuar në bazë të normës për fryme, referuar ligjit 7501 familja e Çesk Paloka, ka poseduar 2 AMTP , duke përfituar më tepër tokë me sipërfaqen prej 13 760 m2, familja e Preng Laskaj, ka poseduar 3 AMTP , duke përfituar më tepër tokë me sipërfaqen prej 27 100 m2, familja e Kol Ndue Nikolli, ka poseduar 2 AMTP , duke përfituar me tepër tokë me sipërfaqen prej 17 366 m2, familja e Preng Luka, ka poseduar 2 AMTP , duke përfituar më tepër tokë me sipërfaqen prej 21 100 m2, familja e Tom Vukaj, ka poseduar 2 AMTP , duke përfituar me tepër tokë me sipërfaqen prej 12 600 m2, familja e Lek Ndue Zefi, ka poseduar 2 AMTP , duke përfituar me tepër tokë me sipërfaqen prej 18 000 m2. Tjetërsime i këtyre pronave është bërë nëpërmjet regjistrimit te paligjshëm të AMTP të falsifikuara, të cilat nuk shërbejnë si titull pasi pasuritë e regjistruara nuk janë të llojit “tokë bujqësore” por në regjistrat përkatës të datës 01.08.1991 figurojnë prona te llojit “pyll”, “kënetë”, “ranishte” , “kullote”, “kanal”, të gjitha pronë shtet. Disa prej pronave të regjistruara në mënyrë të paligjshme me ligjin 7501 të vitit 1991 janë: Pasuria nr. 105/1 në ZK 1986 e llojit ranishte me sipërfaqe 8500 m2, regjistruar në emrin e Domenika Ceraj; – Pasuria nr. 105/2 në ZK 1986 e llojit ranishte me sipërfaqe 12870 m2, regjistruar në emrin e Çesk Palokaj;- Pasuria nr.105/4 në ZK 1986 e llojit ranishte me sipërfaqe 121766 m2, regjistruar në emrin e Marjan Luka;- Pasuria nr. 105/6 në ZK 1986 e llojit ranishte me sipërfaqe 21797 m2, regjistruar në emrin e Viktor Laskaj;- Pasuria nr.105/3 në ZK 1986 e llojit ranishte me sipërfaqe 21197 m2, regjistruar në emrin e Tom Nikoll Vulaj (Vata);- Pasuria nr. 105/14 në ZK 1986 e llojit ranishte me sipërfaqe 2000 m2, regjistruar në emrin e Tom Nikoll Vulaj (Vata);- Pasuria nr.69/7 në ZK 3351 e llojit ranishte me sipërfaqe 1870 m2, regjistruar në emrin e Tom Nikoll Vulaj (Vata).

SPAK godet paligjshmëritë

Ndërkohë dje Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar urdhër për ushtrimin e disa kontrollove në banesa dhe në Call Centera. Mësohet se gjatë aksionit janë shoqëruar disa persona në lidhje me përfshirjen në skemën e zhvatjes së parave përmes call centerave. Ende nuk ka më shumë detaje për kontrollet, mirëpo priten të zbulohen në orët në vijim. Disa aksione të ngjashme, janë shoqëruar edhe nga efektivë të autoriteteve mike si Spanja apo Italia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here