Sali Berisha paralajmëron trazira pas sulmit fizik, rezistencë dhe protesta pa mbarim deri në rrëzimin e qeverisë, zbulohet skenari që po përgatitet, bllokim portesh, aeroportesh dhe rrugësh për një javë

0
202

Ish-kryeministri  Sali Berisha ka kërcënuar me trazira pas sulmit fizik që iu bë pak ditë më parë. Ditën e djeshme, në fjalën e mbajtur në kuvendin e FRPD, ai bëri  thirrje për revolucion dhe rrëzimin e kryeministrit Edi Rama nga qeveria. “Ata të rinj dhe studentë të udhëhequr po nga një i ri, i shndërruar në 24 orë një hero i papërsëritshëm në një lider legjendar. E gjunjëzuat diktatorin dhe e imponuat të vendoste pluralizmin në Shqipëri. Kjo do ju frymëzojë ju dhe shqiptarët në çdo kohë në betejën për liri dhe dinjitet. Kjo trashëgimi ju fton ju sot të ngriheni në lartësinë e idealeve tuaja fisnike, të bashkëmoshatareve tuaj 30 vjet më parë. Kështu që sot kryefjala është një dhe vetëm një, revolucion dhe vetëm revolucion. Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, nuk shpëtohet me deklarata, Shqipëria shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë ata që e duan dhe ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju që jeni të gatshëm të përballeni dhëmbë për dhembë me fundërrinat e regjimit të vjetër, me Edi Ramën këtë bir xhelati, që urren qenien shqiptare, që urren liritë e shqiptarëve, që urren dinjitetin e shqiptarëve”, theksoi Berisha. Më tej ai kërcënoi hapur kryeministrin Edi Rama, teksa u ndal dhe te sulmi fizik që ju bë. Berisha u shpreh se mund të kishte vdekur, por sipas tij kauza e tyre nuk do të tradhtohet. Ai u betua se do luftojë deri në rrëzimin e Ramës. “Ne do i dalim për zot Shqipërisë. Ne jemi gati të luftojmë çdo pushtues të saj. Asgjë nuk na ndalon ne pa realizuar qëllimet tona. Edi Rama, ky frikacak nxjerrë një kriminel në rrugë dhe gjuan. Një njeri dhe mund të gjuajë dhe një njeri mund të vritet, por kauza nuk vdes kurrë. Ne do ta faktojmë Edi Rama se kauza jonë, do të triumfojë se Shqipërinë nuk ta japim kurrë, se lirinë nuk ta japim kurrë. Mjerë ti që ke prekur votën tonë”, tha Berisha. Ai e cilësoi Ramën si “xhelat”, teksa duket se sulmi me grusht e ka acaruar ndjeshëm ish-kryeministrin. “Shqipëria nuk shpëtohet me lutje dhe me deklarata, por shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju që jeni të gatshëm të përballeni ballë për ballë me Edi Ramën këtë bir xhelati që urren qenien shqiptare, urren dinjitetin e shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Skenari i mundshëm nga PD

Ndërkohë, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Aleksandër Biberaj ka deklaruar se qeveria e kryeministrit Edi Rama rrëzohet vetëm me protesta të përditshme dhe të përjavshme, pasi kreu i qeverisë “është frikacak”. Në një analizë të tij për situatën politike në vend, Biberaj në një intervistë televizive ditën e djeshme tha se opozita duhet të bllokojë portet e aeroportet në skenarin e protestave. “Vë re që Berisha po qartësohet për këtë situatë, u bë në 7 korrik një provë gjenerale, nuk duhet të kishte gjithë këtë kohë të gjatë për te mitingu i 12 nëntorit, duheshin protesta të përditshme, të përjavshme për ta përmbysur. Besoj se opozita ka nxjerrë mësime e do konkludojë, është kollaj për ta rrëzuar. Qasja, blloko portet, aeroportet gjithcka për një javë që të zhbllokosh atë që ka bllokuar Rama për 10 vite. Blloko çdo aktivitet në këtë vend, kështu kanë ndodhur revolucione në gjithë botën jo duke cuar qirinj apo flamuj te kryeministria. Protesta non stop dhe populli është gati”, tha ai. Biberaj theksoi se Berisha dhe Meta duhet të marrin përgjegjësi si drejtues te opozitës. Ai tha se çdo ditë që rri Rama në pushtet dëmi që i bëhet këtij vendi është i madh.“Për mua Berisha e Meta duhet të marrin përgjegjësi si drejtues te opozitës. Nëse s’e bëjnë të hapin krahun, është përgjegjësi shumë e madhe. Ka frymë revolucioni, pardje kur ndodhi ngjarje një fjalë e Berishës e do shikoje një Shqipëri tjetër por Berisha u ngrit në përgjegjësinë që i takon, e amortizoi, qetësoi situatën, por ka një pakënaqësi të jashtëzakonshme. Çdo ditë që rri Rama në pushtet dëmi që i bëhet këtij vendi është i jashtëzakonshëm. Rama është shumë frikacak problemi është që ne nuk i kemi treguar akoma ca jemi në gjendje të bëjmë”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here