Zbardhen prapaskenat, ja si u manipuluan kutitë e votimit me urdhër të Berishës e Metës në Tiranë për të nxjerrë fitues Belind Këlliçin kundër Erion Veliajt, hyjnë në lojë dhe klanet e PS

0
252

Sa herë ka zgjedhje brenda demokratëve, proceset false të votës dhe demokracisë së brendshme  serviren si procese reale dhe të besueshme. Jo se demokratët dhe anëtarësia nuk dalin në votime, por se vota e tyre ose orientohet, ose nuk numërohet, ose nuk konsiderohet. Nën kujdesin e veçantë të Sali Berishës dhe Ilir Metës, për garën në primaret e Tiranës, ku të 7 kandidatët rivalë, Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti, Julian Deda, Gert Bogdani, Adriana Kalaja, Fatmir Merkoçi dhe Enkelejda Fejzo, në publik u shfaqën sikur nuk po kandidonin kundër njëri-tjetrit, në prapaskenë u luajt një lojë e pistë. Mjeku Ilir Alimehmeti hoqi papritur dorë nga balotazhi duke i lënë rrugë të lirë Belind Këlliçit si kandidat i opozitës përballë Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës.

Zbardhen prapaskenat

Gjithçka përfundoi në një pazar. Burime bëjnë me dije se tërheqja e Alimehmetit erdhi pas presioneve të dyshes Meta-Berisha për shkak se Këlliçi ishte kandidatura e tyre unike për të kandiduar përballë Veliajt në Tiranë. Procesi i primareve doli totalisht i manipuluar, kjo edhe referuar akuzave që u hodhën nga kandidatë të ndryshëm brenda “Foltores”. Një nga ata ishte dhe njeriu më i afërt i Sali Berishës, Altin Goxhaj i cili e denoncoi i pari këtë skemë dhe paralajmëroi se fitues do të dilte Belind Këlliçi, edhe pse mjeku Alimehmeti gëzonte mbështetje të gjerë në publik. Pra zgjedhja e Këlliçit si kandidat i koalicionit “Foltore”-Partia e Lirisë është një skenar dhe një sfidë për Erion Veliajn i cili mbështetet fuqishëm nga ndërkombëtarët. Fitorja e Këlliçit rezultoi e befasishme pasi në të gjitha sondazhet që  janë realizuar dhe në media të tjera në Shqipëri, njësoj si në gazetën “SOT”, Alimehmeti ka fituar bindshëm. Por ja që në Shqipëri nuk vendos vota e lirë, pasi nga mbrapa Këlliçi nuk kishte mbështetje të fortë vetëm Berishën dhe Metën, por edhe një pjesë të strukturave socialiste. Belind Këlliçi është bashkëshorti i Ana Shkrelit, vajzës së ish-zv ministrit socialist Artan Shkrelit, emër i njohur i partisë në pushtet dhe kupolës së qeverisë. Por kjo nuk është lidhja e vetme e Këlliçit me Partinë Socialiste. Ndërsa ai bënte opozitë, vëllai i tij merrte pagë nga një degë e ministrisë që drejtohet nga Belinda Balluku. Pas publikimit të listës së pagave, Reshard Këlliçi rezultoi i punësuar si këshilltar ligjor pranë shoqërisë AlbGaz me pagë rreth 1.9 milion lek të vjetra. AlbGaz është në pronësi 100 për qind të shtetit shqiptar me aksionet që zotërohen nga Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku.

Këlliçi i përfshirë familjarisht në Portin e Durrësit

Që Këlliçi mbështetet fort dhe nga strukturat socialiste e tregon dhe skandali që denoncoi sërish avokati i njohur Altin Goxhaj. Ndryshe nga denoncimet e fundit nga politikanë dhe media, lidhur me procedurat apo kompanitë fantazmë që kanë dalë në skenë për portin e Durrësit, Goxhaj ka treguar përfshirjen në këtë skandal edhe të “Foltores”, për më tepër njeriut më të besuar të Sali Berishës, Belind Këlliçi, kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Avokati i njohur, në një reagim në rrjetet sociale zbuloi se Këlliçi është i përfshirë familjarisht në aferën e Portit të Durrësit. Ai hedh dyshime për një lëvizje misterioze të vëllait të tij Reshard Këlliçi, duke kërkuar të shpjegohet roli i kompanisë ligjore Frost & Fire Consulting lidhur me kontratën që është firmosur me Muhamed Alabar, themelues i Emaar Group dhe pse Reshard Këlliçi fshiu disa ditë më parë profilin e vet nga Linkedin dhe vetë kompania e tij ligjore zhduku të dhënat nga Linkedin.

Luftë e fortë për të marrë Tiranën

Belind Këlliçi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021 dhe ka mbajtur detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që prej Dhjetorit të vitit 2015. Në vitin 2022, Belind Këlliçi ishte anëtari më i votuar i kryesisë së Partisë Demokratike. Pas vendimit të Lulzim Bashës për të larguar nga Grupi Parlamentar i PD-së Sali Berishën, FRPD dhe Belind Këlliçi iu bashkuan Foltores. Në 11 dhjetor 2021, Belind Këlliçi u zgjodh nga delegatët si drejtuesi i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, nga ku Lulzim Basha u shkarkua si kryetar i PD. Gjithashtu, marrëdhënia e tij e mirë me Ilir Metën ka ndikuar për përzgjedhjen si kandidat për Tiranën.  Pasi ai u shpall fitues, Ilir Meta reagoi menjëherë duke uruar Këlliçin “Shumë urime për Partinë Demokratike për procesin transparent, civilizues dhe në interes të demokracisë direkte të Primareve. Një hap i madh përpara!” shkroi Meta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here