Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka dalë sot në një deklaratë për mediat, teksa ka folur mbi mbarëvajtjen e sigurisë gjatë Samitit të BE dhe protestës së opozitës.
Duke folur për sulmin ndaj Berishës, Rrumbullaku tha se, në lidhje me këtë incident, të cilin e cilësuan si të paprecedentë dhe të dënueshëm, Policia e Shtetit reagoi duke ndaluar autorin e dyshuar.
Muhamet Rrumbullaku: Ishin orë të gjatë në krye të detyrës, gjithçka u mbyll me sukses. Punimet u zhvilluan me sukses të plotë. Përcjell një mesazh falenderimi për të gjithë qytetarët që dëshmuan durim se shumë prej akseve rrugore u desh t’i mbanim të mbyllura për shumë orë. Në lidhje me incidentin e ndodhur me deputetin Sali Berisha, i paprecedentë dhe i dënueshëm. Policia e Shtetit sa u njoh me ngjarjen e shëmtuar e shoqëroi. Po hetojmë për ngjarjen. Në lidhje me deklaratën e Berishës gjatë së cilës pohoi se Gert Shehu është agjenti i Policisë Kriminale, sqarojmë se: Gert Shehu nuk ka qenë dhe nuk ka qenë ndonjëherë agjent i asnjë strukture. Nuk është përdorur asnjëherë si burim informacioni. Dokumenti që vërteton gjendjen e shëndetit mendor është vënë në dispozicion nga mediat nga familjarët e tij. Ndërkohë që sigurojmë deputetin Berisha se Policia e Shtetit është e angazhuar për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.







































