Teuta nuk po gjen qetësi. Sjell në kryye të pankinës trajnerin e katërt për këtë sezon, diçka e pabesueshme për një klub futbolli. E megjithatë, pozicioni në vend të fundit në renditje ka sjellë edhe këtë lëvizje ekstreme nga presidenti Edmond Hasanbelliu, i cili i ka dhënë “duart” Bledi Shkëmbit dhe ka rikthyer një “stekë” të njohur, pikërisht trajnerin që e nxori kampion para dy sezonesh, Edi Martinin.
Shkëmbit i munguan rezultatet, ndaj u shkarkua
Bledi Shkëmbi u rikthye për aventurën e tij të tretë në stolin e Teutës në fillim të shtatorit duke zëvendësuar Renato Arapin pas një nisje të vështirë të kampionatit, por nuk mundi ti gjejë kurën formacionit durrsak. Teuta është aktualisht në vendin e fundit të klasifikimit me 8 pikë pas 12 takimesh, teksa skuadra në 4 ndeshjet e fundit ka regjistruar vetëm një barazim dhe 3 humbje, e fundit ajo me Erzenin ka rezultuar dhe pika që ka mbushur Kupën, me klubin që ka vendosur të ndryshojë timonier, duke përfituar edhe nga pauza e krijuar për shkak të Botërorit Katar 2022, në mënyrë që trajneri i ri të ketë kohën e duhur për të punuar me skuadrën duke implementuar idetë e tij, për një nisje ndryshe të kampionatit. Në 9 ndeshje në këtë kampionat, Bledi Shkëmbi koleksionoi me Teutën 5 humbje, 3 barazime dhe vetëm 1 fitore, ecuri që ka kushtëzuar edhe ndarjen e parakohshme mes palëve, me Teutën që tani është zyrtarisht në kërkim të një trajneri të ri, i cili me shumë gjasa pritet të jetë shkodrani Edi Martini.
Njoftimi i Teutës
Nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, Teuta sqaron ndarjen me Shkëmbin, duke e falënderuar për kontributin e dhënë në pankinën e klubit durrsak. “Klubi i Futbollit Teuta njofton për ndërprerjen e bashkëpunimit me tranjerin, Bledi Shkëmbi. Bashkëpunimi me trajnerin Shkëmbi ndërpritet me marrëveshje të dyanshme, pasi klubi dhe trajneri e kanë konsideruar se ndërprerja e bashkëpunimit në këtë moment është në të mirë të të dyja palëve. Me këtë rast, KF Teuta falënderon Shkembin për kontributin e dhënë gjatë periudhës qe drejtoi skuadrën blu, dhe i dëshirojmë shëndet dhe shumë suksese në të ardhmen”, shkruan klubi i “djemve të detit”.
Martini, kandidati i vetëm, pritet të emërohet sot
Shkarkimi i Shkëmbit është bërë zyrtar tashmë që nga paraditja e djeshme, kur Teuta doli me njoftim në faqen e vet zyrtare, por ka një lajm edhe për trajnerin e ri. Kështu, zbulohet se trajneri i ri do të jetë Edi Martini, i cili pritet të prezantohet nesër nga klubi. Shkodrani fitoi titullin kampion në krye të Teutës, por gjithashtu Kupën dhe dy herë Superkupën. Kjo është hera e katërt që Martini drejton Teutën. Pra, qartësisht kjo është hera e katërt që ish-sulmuesi i njohur shkodran merr drejtimin e bregdetarëve, po aq sa numri i trofeve të fituar si trajneri i skuadrës. Misioni kryesor është rikthimi i ekipit të rezultatet pozitive dhe braktisja e vendit të fundit në renditjen e Superiores. 47-vjeçari drejtoi Teutën për herë të parë në periudhën (qershor 2010-maj 2011). Aventura e dytë që u shoqërua me fitimin e katër trofeve, zgjati nga dhjetori 2019-nëntor 2021, teksa u rikthye sërish në pankinën e Teutës më 16 dhjetor të vitit 2021, por drejtoi ekipin në katër ndeshje dhe u largua më 23 janar të këtij viti