Ja si do të bëhet vetingu në Policinë e Shtetit, përveç Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore do hyjë në lojë edhe ILDKPI, do kontrollohet pasuria e drejtuesve që nga viti 2008

0
128

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të enjte ndryshimin në ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, i ndryshuar”, i njohur ndryshe edhe si procesi i vetingut. Ligji fillestar parashikonte kalimin në sitë të rreth 12 mijë efektivëve të policisë, gardës dhe SHÇBA-së. I hartuar fillimisht në kohën e ministrit Fatmir Xhafaj, pësoi ndryshime nga pasardhësi i tij Sandër Lleshaj. Ndërkohë gazeta “SOT” ka siguruar draftin e miratuar javën që shkoi, teksa në procesin e rivlerësimit do të përfshihen vetëm drejtuesit e rangjeve të larta dhe efektivët me risk të lartë korrupsioni. Po mësohet se përveç Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e cila ka barrë më të madhe për të hetuar drejtuesit e policisë sa i takon anës profesionale, pasurisë dhe integritetit moral, në lojë në lojë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI). Ky i fundit mësohet se do të kalojë në sitë pasuritë e drejtuesve të uniformave blu, qysh nga viti 2008.

Ligji i ri sipas rekomandimeve të GRECO

Por detaje rreth këtij procesi ka dhënë vetë ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e kryesuar nga Ardi Veliu, struktura përgjegjëse për vlerësimin në radhët e Policisë, Gardës dhe vetë Agjencisë, ndërsa periudha e vlerësimit do të fillojë nga viti 2008 në vijim. Ndërkohë ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, gjatë fjalës në Kuvend shpjegoi mënyrën e re të kryerjes së këtij procesi. Ai tha se ndryshimi i ligjit vjen edhe si reflektim i rekomandimeve të GRECO. “Organizmi monitorues antikorrupsion dhe padiskutim më seriozi brenda Këshillit të Europës, në raundin e fundit të vlerësimit të integritetit në institucionet ligjzbatuese në Shqipëri, rekomandoi rishikimin e ligjit, citoj “me qëllim kufizimin e subjekteve duke u përqendruar tek nivelet menaxheriale, në strukturat me risk të lartë korrupsioni, në rastet e ngritjes në detyrë, të ecurisë në karrierë dhe rritjes në gradë”. Në fund të muajit, delegacioni shqiptar do të raportojë në Këshillin e Europës për përmbushjen e këtij rekomandimi”, deklaroi ai.  Më tej rishikimi i ligjit deklaroi Ministri i Brendshëm është propozuar pas një analize të imtësishme dhe mjaft serioze të rezultateve të matshme dhe të impaktit të procesit të zhvilluar deri tani, proces që siç e dini theksoi ministri Çuçi, rezultoi të ishte i ngadaltë dhe i kushtueshëm për buxhetin publik. “Numri i lartë i punonjësve që ishte menduar se duhet të nënshtroheshin Vetingut, rreth 12 mijë, në një farë mënyre krijoi një situatë konfuze, veçanërisht në Policinë e Shtetit, ku ishte dhe numri më i madh. Flisnim për një proces ku afati fundor ishte i paqartë, me riskun e tejzgjatjes përtej logjikës institucionale, një proces që po rezultonte jo efiçent dhe që rrezikonte të cenonte besimin jo vetëm tek subjektet e ligjit, por mbi të gjitha besimin tek publiku”, u shpreh ai.

Vetingu në polici, proces transparent

Po ashtu, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dha garanci se procesi i vetingut në radhët e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe jovetëm, sipas tij, do të jetë transparent. “ILDKPKI, si institucioni më i specializuar do të bëjë vlerësimin pasuror, duke rritur besueshmërinë e procesit. Është shtuar gjithashtu detyrimi i subjektit për testin e narkotikëve, si dhe dhënia e mundësisë për strukturën ku bën pjesë subjekti. Shtimi i barrës së provës për subjektin, si element i rëndësishëm i çdo hetimi administrativ”, nënvizoi ministri Çuçi, duke theksuar se me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve të propozuara, do të sigurojmë zhvillimin e një procesi vlerësimi më të drejtë dhe më real.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here