Hakerat iranianë “godasin” sërish, publikojnë hyrje-daljet e Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe kreut të SHISH, ja kërcënimi për qeverinë

0
134

Hakerat iranianë janë zhvendosur sërish në zyrën e Policisë së Shtetit dhe këtë herë kanë publikuar të gjitha të dhënat personale të kryepolicit, Muhamet Rrumbullaku. Në dosjen me 7 faqe prej 836 K të publikuar dje në llogarinë e tyre në “Telegram” shihen të gjitha pasaportat e ndërruara nga Rrumbullaku si dhe të dhënat e anëtarëve të familjes së tij. Por, iranianët nuk janë ndaluar me kaq.  Ata kanë publikuar edhe hyrje-daljet e kreut të Policisë së Shtetit, përfshirë dhe fluturimet, katër prej të cilave Rrumbullaku rezulton t’i ketë kryer me çarter. Dosja.al ka të gjithë dosjen, por nuk do ta bëjë atë publike për arsye privatësie. Rrumbullaku është drejtori i dytë i PSH-së që ‘zhbirohet’ nga hakerat, pas Gledis Nanos, me të cilin iranianët nisën dhe sulmet e para. Oljan Kanushi, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, pas largimit të Helidon Bendos, është zyrtari i dytë që ka rënë në ‘grepin’ e hakerave këtë pasdite. Pas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, hakerat kanë publikuar të dhënat e pasaportave të Kanushit. Ata janë ndalur dhe në gjendjen e tij civile, duke nxjerrë emrat e të dhënat e familjarëve gjithashtu. Ajo që vihet re është se Kanushi, aktualisht në krye të SHISH, e ka kaluar katër herë kufirin si këmbësor. Hera e fundit është regjistruar në vitin 2012 nga pika kufitare Kapshticë. Ndërkohë publikimi i të dhënave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe zv/Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, Oljan Kanushi, është përcjellë me një kërcënim nga hakerat iranianë. Krahas të dyja dosjeve, iranianët shkruajnë se çdo lëvizje dhe intervistë e drejtuesve të MEK në Shqipëri e vende të tjera, do të ketë një çmim të rëndë për popullin shqiptar. “Ne jemi më afër jush sesa shpirtrat tuaj. Në vend që të zëvendësoni zyrtarët e institucioneve të korruptuara qeveritare, mendoni për reformimin e strukturës korruptive. Çdo lëvizje dhe intervistë e drejtuesve të MEK në Shqipëri e vende të tjera, do të ketë një çmim të rëndë për popullin shqiptar,”- shkruhet në mesazhin kërcënues.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here