“Kam parashikuar copëzimin e Rusisë”! U sanksionua nga Kremlini, intervista e Bugajskit

0
227

Pas përfshirjes në listën e personave të sanksionuar nga Ministria e Jashtme e Rusisë, eksperti i politikës z.Janusz Bugajski iu përgjigj disa pyetjeve për DITA, gazeta ku ai shkruan kolumnën e vet për çështjet e rajonit.

Përmes kësaj interviste, z. Bugajski shpjegon arsyet dhe qëllimet e Rusisë në përpilimin e listave të tilla emërore personash të sanksionuar. Në të njëjtën kohë, ai hedh dritë mbi situatën aktuale në vend dhe rajon dhe politikat destabilizuese që  shënjestrojnë Ballkanin.

Me z.Bugajski bisedoi Edona Llukaçaj, pedagoge, publiciste dhe përkthyesja e kolumnës së Bugajskit në DITA:

Z.Bugajski, në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme ruse pretendohet se lista emërore prej 200 personash bazohet në reciprocitet, pra vjen si kundërpërgjigje ndaj sanksionimeve të

shumë rusëve me profilit të lartë nga ana e administratës Biden. Si duhet ta kuptojë opinioni publik shqiptar këtë akt “të bazuar në reciprocitet”?

JB: Nuk bëhet fjalë për reciprocitet. Rusia po përpiqet, në mënyrë të dëshpëruar, të tregojë se është e barabartë me Shtetet e Bashkuara.

Të gjithë shtetasit rusë të sanksionuar nga Uashingtoni kanë lidhje të ngushta me Kremlinin, janë të përfshirë në çekuilibrimin e institucioneve perëndimore ose janë të lidhur drejtpërdrejt me luftën kundër Ukrainës. Shtetasit amerikanë të sanksionuar nga Kremlini janë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe Kongresit me familjet e tyre, si dhe analistë politik, akademikë e gazetarë (me qëndrim) kritik ndaj politikave imperialiste dhe gjenocidale të Rusisë.

Si do ta vlerësonit listën emërore të këtyre 200 individëve, kur merret parasysh pesha e tyre në SHBA, por edhe në sferën ndërkombëtare?

JB: Deri më tani, Moska ka ndaluar që vendi të vizitohet nga mbi 1.000 shtetas amerikanë dhe lista e fundit përfshin edhe anëtarët e familjes së Presidentit Biden, anëtarë të Kongresit që janë shprehur kundër luftës së Moskës, por dhe analistë politik e anëtarë të grupeve të ekspertëve që, vazhdimisht, tregojnë të vërtetën mbi Rusinë. Lista e plotë më përfshin mua dhe gruan time, një person me autoritet të padiskutueshëm në Uashington në lidhje me strategjitë energjetike të Rusisë.

Padyshim që Kremlini i konsideron personat e listuar si figura me ndikim, të cilët ndihmojnë që politika e SHBA-së të jetë e informuar rreth Rusisë dhe, prandaj, (Kremlini) po përpiqet të implementojë një formë ndëshkimi për ta.

Jam i sigurt se libri im i fundit – Failed State: A Guide to Russia’s Rupture  (Shteti i dështuar: Një udhëzues mbi copëtimin e Rusisë) – ka ndihmuar që të më bëhet vend në listën e të sanksionuarve.  Madje, stacioni kryesor televiziv i ushtrisë në Rusi, ka bërë një video të tërë kundër librit tim dhe ndikimit që ai mund të kishte në Rusi.

A ndiheni ju personalisht apo edhe familja juaj disi të kërcënuar jashtë territorit të Federatës Ruse?

JB: Kur thua atë që mendon dhe shpjegon faktet në mënyrën më të mirë që ke mundësi ta bësh, nuk duhet të kesh frikë. Gjatë gjithë jetës sime, jam pozicionuar aktivisht kundër diktaturave komuniste dhe imperializmit rus. E do të vazhdoj të shprehem kundër krimeve të luftës dhe ambicieve imperialiste, edhe duke rekomanduar politika që mund t’i zbrapsin.

Gjithashtu besoj se sanksionimet e Kremlinit janë një pengesë e përkohshme, pasi pres të vizitoj shtetet e reja që do të formohen nga thërrmimi i perandorisë ruse. Dhe jam i sigurt se (atëherë) nuk do të has asnjë problem në marrjen e vizave.

Duke marrë parasysh se lufta në Ukrainë pritet të vazhdojë të paktën edhe për disa muaj dhe, krahas burimeve të pakësuara energjetike, dimri që po afron pritet të jetë shumë i ftohtë, a mendoni se stabiliteti i brishtë i Ballkanit do të të ndikohet më tej, duke i lënë hapësirë ​​fuqive të tjera të intensifikojnë axhendat e tyre destabilizuese në rajon?

JB: Ballkani mbetet në teh, kryesisht për shkak të politikave destabilizuese të aleatëve kryesorë të Putinit në rajon, Vuçiçit të Serbisë dhe Dodik të Bosnjës. Të dy do të shfrytëzojnë çdo problem ekonomik për të vijuar objektivat e tyre për një shtet më të madh serb që sundon fqinjët e vet.

Mbarë Europës i duhet t’i japë fund plotësisht varësisë së saj nga energjia ruse, siç po shohim të ndodh në Europën Qendrore dhe shtetet baltike, por edhe në Europën Perëndimore me fillimin e luftës kundër Ukrainës në shkurt. Burime dhe (mënyra) furnizimi të tjera energjie janë të disponueshme dhe, ndryshe nga energjia ruse, ato nuk vijnë me kushtëzime politike.

Vendet si Serbia, të cilat janë më të varura nga energjia ruse, do të bëhen edhe më të izoluara dhe të varfëra nëse nuk i bashkohen politikave pan-europiane.

Së fundi, a shihni ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë midis situatës aktuale në Shqipëri dhe imperializmit rus?

JB: Kremlini synon të destabilizojë Ballkanin dhe të ndihmojë klientët e tij, Vuçiç dhe Dodik, që të arrijnë objektivat e tyre. Shqipëria po përfshihet në këtë konflikt përmes joshjeve të shumëllojshme, si përmes përfshirjes në nismën e Ballkanit të Hapur dhe propozimeve për ndarjen e Kosovës.

Tirana duhet të jetë shumë e kujdesshme që, pa dashje, të mos i bëhet krah interesave të Moskës dhe qëllimeve të Beogradit. Dhe (Tiranës) i duhet të ketë më shumë solidaritet me Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, të cilat janë objektivat kryesore të ekspansionizmit serb.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here