Presidenti Bajram Begaj po vonon Botimin në Fletoren Zyrtare dhe hyrjen në fuqi të ligjit për dosjet e ish-Sigurimit të Shteti, i cili u votua më 20 tetor në Kuvend me asnjë votë kundër dhe vetëm një abstenim. Begaj nuk po e mundëson në një kohë të shpejtë botimin e ligjit në Fletoren Zyrtare. Kuvendi e miratoi me 97 vota pro, ndryshimet në ligjin për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Pro nismës votuan deputetët e PS-së dhe grupi i deputetëve të PD-së që drejtohen nga Enkelejd Alibeaj. Përpara votimit që u zhvillua pak para mesnatës të 20 tetorit ishte i pranishëm edhe ish-kreu i PD-së, LulzimBasha. Ndërsa deputetët që mbështesin Sali Berishën nuk ishin të pranishëm në sallë. Por përshpejtimin e këtij ligji, ku i rrezikuari kryesor është Ilir Meta dhe 5 politikanë të tjerë deri më tani të bërë të ditur së fundmi nga Autoriteti i Dosjeve po e mban “peng” Bajram Begaj.
Çfarë thotë ligji?
Që vendimi të hyjë në fuqi, duhet botuar në Fletoren Zyratare. Kjo nuk është e mundur, pasi duhet të dekretohet si fillim nga presidenti. Ja çfarë thotë më saktësisht ligji: Në rastin e dërgimit për botim të ligjeve, akti i botueshëm dërgohet për botim nga Kuvendi brenda 5 ditëve nga njoftimi i dekretit të Presidentit për shpalljen e ligjit, por, në çdo rast, jo më vonë se 10 ditë nga data e dekretit. 4. Nëse Presidenti e kthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend dhe dekreti i tij e humbet fuqinë, akti i botueshëm dërgohet për botim nga Kuvendi brenda 5 ditëve nga data e votimit kundër tij prej shumicës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. 5. Nëse Presidenti nuk ushtron të drejtën e parashikuar në pikën 1, të nenit 84, dhe në pikën 1, të nenit 85, të Kushtetutës, akti i botueshëm dërgohet për botim nga Kuvendi brenda 5 ditëve nga kalimi i afatit kushtetues për shpalljen ose kthimin për rishqyrtim të ligjit. Në këtë rast, Kuvendi shënon edhe datën e dërgimit të ligjit të miratuar te Presidenti i Republikës. 6. Në rastin e dërgimit për botim të ligjeve, të miratuara sipas procedurës së përcaktuar në pikën 4, të nenit 84, të Kushtetutës, Kuvendi e dërgon aktin e botueshëm menjëherë. Ky ligj botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare. Në rastin e hapjes së dosjeve, presidenti Begaj ende nuk e ka dekretuar ligjin.
Ja çfarë parashikon ligji për spiunët
Ky ligj parashikon t’i japë të drejtë Autoritetit të Dosjeve që të rishikojë dhënien e certifikatës nëse dalin prova të reja. Me ndryshimin e bërë shfuqizohen vendimet e komisioneve “Bezhani” e “Mezini”. Autoriteti i Dosjeve ka të drejtë të rivlerësojë edhe figurën e zyrtarëve të pajisur me çertifikatë pastërtie. Projektligji erdhi pas kërkesës së autoritetit pasi papritur i doli një dosje me një spiun të sigurimit me iniciale I.M që sipas autoritetit dyshohet se është ish-Presidenti Ilir Meta. Në rast se një zyrtar i lartë rezulton bashkëpunëtor i Sigurimit të shtetit ai largohet nga detyra. Pjesë e nismës së PS-së u bënë edhe disa propozime të Enkelejd Alibeajt të dakordësuara më herët me Taulant Ballën. PD kërkonte që të ketë më shumë lehtësi për marrjen e informacionit. “Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkoj një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni, Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë”, thuhet në amendamentin e PD.










































