Google search engine
Home Politike Ja pse dështoi protesta e thirrur nga Sali Berisha, 2 parti nuk...

Ja pse dështoi protesta e thirrur nga Sali Berisha, 2 parti nuk mblodhën dot as 10 mijë veta në shesh, luftë “bërrylash” brenda Foltores dhe PL

0
246

“Foltorja” dhe Partia e Lirisë protestuan para Kryeministrisë për gati 3 orë të shtunën. Ish-kryeministri Sali Berisha bashkë me aleatin e tij më të fortë Ilir Metën dështuan, pasi nuk ndodhi protesta madhështore që ata kishin ditë që e paralajmëronin. Ata nuk arritën të mblidhnin dot as 10 mijë veta para Kryeministrisë edhe pse hodhën mijëra euro për të mbushur sheshin plot me protestues. Dështimi nuk mjaftoi vetëm me kaq, pasi shumë protestues filluan të largoheshin, edhe pse protesta nuk kishte përfunduar. Ajo që ata i mblodhi para Kryeministrisë, ishin paratë që kishin marrë për të qenë të pranishëm. Pra një protestë madhështore që paralajmëroi ish-kryeministri Sali Berisha bashkë me aleatin e saj më të fortë LSI, se do të mblidheshin aq shumë njerëz sa do të rrëzohej qeveria “Rama” nuk ndodhi. Kjo protestë e dështuar gjithashtu ka treguar dhe përplasjet e forta brenda “Foltores” dhe “PL”. Foltoristët dhe njerëzit më besnikë të Ilir Metës po përplasen fortë me njëri-tjetrin për ndarjen e tortës së pushtetit. Ata po kërkojnë të faktorizohen që tani, duke nisur nga qenia prej një kohe shumë të gjatë në opozitë. Gjyqi për vulosjen e fatit të PD gjithashtu është shtyrë dhe gazeta “SOT” raportoi së fundmi se me interes shumë të madh atë po e pret dhe Ilir Meta. Nëse Apeli i heq nga duart PD-në, Meta është gati “t’i ngulë thikën pas shpine” Berishës për të marrë rolin e drejtuesit të opozitës.

Ja çfarë ndodhi gjatë protestës

Sali Berisha dhe Ilir Meta u nisën nga selitë e partive respektive, për t’u bashkuar në sheshin para godinës ku punon rivali i tyre politik, Edi Rama. Kryeministri nuk ndodhej në zyrë dhe mbërriti në Shqipëri nga Franca pasi protesta kishte përfunduar. Gjatë protestës qytetarë dhe aktivistë të PD folën para njerëzve të shumtë mbledhur në shesh, ndërsa në fund ishin Meta dhe Berisha që mbajtën fjalët e tyre. Ndërsa ish-presidenti Meta listoi premtimet e pambajtura të Ramës dhe bëri thirrje për ndryshim, Berisha e quajti pasuesin e tij në kryeministrisë si armikun më të madh të lirisë së shqiptarëve, pas Enver Hoxhës. Edhe pse i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, ai kërkoi nga vendi aleat të mos mbështeste Edi Ramën. “Çdo mbështetje për të është ndëshkim për shqiptarët”, tha Berisha. Protesta u mbyll me një pjesë të njerëzve që çanë rrethimin policor dhe hodhën bojë drejt së kryeministrisë, ndërsa një person me thikë u ndalua nga efektivët te shkallët e godinës. Rama nuk komentoi drejtpërdrejt zhvillimet para zyrës së tij, por zgjodhi të tregonte punët, siç ishte rasti i tunelit të Llogarasë, nga i cili postoi disa foto në Facebook. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tha se Berisha dhe Meta kishin marrë porosi nga Moska për të mos përmendur pushtimin rus në Ukrainë.

Reagon Berisha dhe Meta

Kreu i Partisë së Lirisë ka reaguar një ditë pas protestës së thirrur nga ish-kryeministri Berisha para Kryeministrisë. “Shqipëria u përket të rinjve!”, shkroi Meta në një postim në Facebook. Ai e shoqëroi me një foto të tij teksa iu drejtua protestuesve gjatë tubimit. “Pyetjes aq të ndjerë të udhëheqësve tanë fetarë se kujt do t’ia dorëzojmë këtë tokë të bekuar, sot i kemi dhënë përgjigjen: Askujt përveç të rinjve dhe të rejave tona”, tha Meta gjatë protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nga ana tjetër  Sali Berisha ka zgjedhur rrjetin social Tik-Tok për të reaguar lidhur me protestën. Berisha falënderon qytetarët, që siç shprehet, ‘zbukuruan aq madhërishëm bulevardin me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme’, ndërsa nuk harron të falënderojë edhe ndjekësit e tij në Tik-Tok. “Një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje të pakufishme, për të gjithë ju, për të gjithë qytetarët që mbushën, zbukuruan aq madhërishëm Bulevardin me pjesëmarrjen tuaj në protestën më të jashtëzakonshme që Tirana ka njohur! Treni ynë nuk ndalet më. Ai do kalojë nga një stacion fitoreje në një stacion tjetër, deri në destinacionin final. Shpëtimin e Shqipërisë, për ju, të ardhmen tuaj dhe për të gjithë shqiptarët”, u shpreh Berisha ditën e djeshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here