Debatet te “Siguria”, PS kalon e vetme ligjin për vetingun në polici, në “sitë” do kalojnë vetëm shefat dhe drejtuesit, opozita sulmon Ardi Veliun

0
178

Me debate është zhvilluar seanca ditën e djeshme në Komisionin e Sigurisë mes opozitës dhe mazhorancës, ku u miratuan ndryshimet ligjore për t’i kaluar procesin e vetingut të policisë AMP-së. Me ndryshimet ligjore të miratuara në komisionin e Sigurisë, procesi i vetingut do të kryhet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, por jo më nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit. Ndryshe nga ligji i miratuar 5 vite më parë, në veting do të kalojnë vetëm nivelet drejtuese në policinë e shtetit, në gardën e republikës dhe të agjencisë së mbikëqyrjes policore, në tërësi rreth 300 efektivë. Pse Ministria e Brendshme kërkoi ndryshimin e ligjit nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të policisë së shtetit, gardës së Republikës dhe shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Brendshme”? Arsyeja kryesore e këtij ndryshimi është vonesa e procesit. Në katër vite, të dhënat e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit thonë se vetëm 57 policë kaluan në filtër për pastërtinë e figurës, pasuri dhe aftësi profesionale, pesë raste pa konfirmime në detyrë, shtatë të tërhequr nga detyra. Megjithatë, me ndryshimet që pritet të kalojnë në vijim në Kuvend, vetingu i Policisë së Shtetit do të vijojë, por jo më nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit të cilit iu ndërpre mandati në mars 2022.

Përplasje mes Alibeajt dhe Bushkës

Ndërkohë, ka pasur edhe përplasje mes deputetit të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj dhe kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka. Demokrati Alibeaj akuzoi mazhorancën se kishin përgatitur aktin normative për të gënjyer shqiptarët, duke i bërë të mendojnë se po kujdesen për të për shkak të krizës. Por, sipas Alibeajt, e vetmja gjë që po bëhet është vjedhja e fondeve para zgjedhjeve. Bushka tha se këtë gjë ndoshta do të donte ta bënte PD-ja, ndaj e mendon kështu. “Nga njëra anë bëhet propaganda politike, që ja ku është dimri, kriza dhe ne po ju mbrojmë. Nga ana tjetër, ja ku është plani i vërtetë. Ju nuk ju lë ende sikleti i zgjedhjeve që vijnë, kjo është një nga masat që po përgatisni për të dezinformuar votën e qytetarëve. Qytetarët do të jenë pa bukë, pa ngrohje, të vjedhur dhe të tallur. Ky është përfundimi”, tha ai.

Salianji kundërshton procesin e vetingut

Ndërkohë, deputeti demokrat Ervin Salianji ka kundërshtuar procesin e vetingut për policët, duke thënë se ka dështuar, pasi deri më tani nga 11 mijë policisë që ka gjithsej Policia e Shtetit është bërë vetingu vetëm për rreth 100 punonjës policie. Sipas tij, këto ndryshime ligjore po bëhen pikërisht para zgjedhjeve vendore me qëllim që PS të ushtrojë presion ndaj policëve për t’u marrë votat. Me një abetare në duar kishte zgjedhur të shkonte Salianji në mbledhjen e komisionit, ndërsa tha se e kishte sjellë për t’ia dhënë drejtorit të AMP-së, Ardi Veliut, por ai mungonte në seancë. Salianji ia la ‘porosi’ deputetëve të PS-së që t’ia japin abetaren duke thënë se po bën një kontribut që Veliu të mësojë shkrim e lexim. Ndonëse ligji kaloi me votat e socialistëve, Salianji kundërshtoi duke thënë se nuk mund t’i jepet vetingu i policisë një drejtuesi analfabet që ofendon çdo efektiv që ka zgjedhur të shkollohet.“Kemi kaluar këtu dhe e kemi kundërshtuar, ligjin për vetingun e punonjësve të policisë. Sot me shkresë zyrtare informacion se nga 11 mijë punonjës, ligji vetingut në 5 vite ka dështuar plotësisht duke kaluar në filtra as 100 punonjës të policisë. Ky ligj po vjen para zgjedhjeve që ju të kontrolloni policët para zgjedhjeve dhe ti vendosni nën presion dhe si ka mundësi që gjithë vetingu i policëve i lihet një drejtuesi që sot nuk është këtu, që fyen çdo punonjës police që investojnë në shkollim. Si hap i parë që duhet të bëjmë, duhet ta ndihmojmë atë të kalojë vetingun në klasë. Do i jap përfaqësuesve të ministrisë një abetare që të mësojë shkrim e këndim. Do ia jap që t’ia jepni drejtorit, Veliut të mësojë shkrim e lexim. Pasi të kalojë testin hajde diskutojmë”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here