Google search engine
Home Sport Miqësorja me Italinë mbledh kuqezinjtë e “vërtetë”, kjo me Katarin me emra...

Miqësorja me Italinë mbledh kuqezinjtë e “vërtetë”, kjo me Katarin me emra të “panjohur”

0
201

Shqipëria do të luajë më 9 nëntor një duel miqësor me Katarin, ndeshje që do të luhet në Spanjë. Padyshim që për kuqezinjtë do të ishte një mundësi të reflektonin për zhgënjimin që prodhuan në ndeshjet e Ligës së Kombeve, zhgënjim që u përjetua shumë nga fansat dhe që natyrisht sportdashësit kërkojnë një tjetër situatë, kërkojnë më shumë performancë cilësore në fushë dhe kuptohet rezultate të tjera. Ekipi grumbullohet dhe do të luajë ndaj Katarit me po të njëjtin formacion që luajti ndaj Arabisë Saudite. Vetëm se këtë herë jo në lindjen e Mesme dhe jo në terr informativ. Kuptohet, lojtarët e përzgjedhur vijnë nga kampionati shqiptar dhe nuk kanë përvojë ndërkombëtare. E parë nga jashtë kjo duket si mundësi për lojtarët, të cilët kanë të drejtën e testimit. Por eksperienca ka treguar se në Kombëtare kërkohet një nivel lojtarësh më i lartë, që luajnë në kampionate më cilësore. Elementë të talentuar mund të ketë edhe brenda vendit, por ato mund të testohen në fazë eliminatore duke bërë grumbullime dhe duke testuar rregullisht. Kjo gjë më parë nuk ka ndodhur dhe ftesa “on block” për lojtarët e kampionatit, nuk është gjë tjetër veçse një “qokë” për interesa të caktuara në Superligë, interesa që ndahen mes FSHF-së dhe klubeve, për t’u dhënë futbollistëve kredite në pasaportë që ata të reklamohen për futbollin jashtë, pra që t’u sjellin nga shitjet para klubeve. Por kjo e ngadalëson procesin e rritjes së Kombëtares deri në nivelin që mund të pretendojë kualifikimin në Europian. Referuar asaj që kanë shprehur edhe specialistët dhe opinionistët e ndryshëm, Edi Reja ka testuar deri tani mbi 50 lojtarë në më pak se tre vite dhe produkti është se Kombëtarja nuk ka një formacion stabël. Dy miqësoret me vendet arabe, fillimisht me sauditët e tani me Katarin, tregojnë pikërisht këtë gjë, që testohen lojtarë që nuk kanë shanse të jenë në formacionin titullar. E shumta mund të përzgjidhen dy-tre elementë sa për të mos rënë në sy për grumbullimet e ardhshme, por niveli i kampionatit tonë nuk mundëson që asnjë lojtar të ketë nivelin e atyre që vijnë nga jashtë.

Reflektimi i Kombëtares

Kombëtares i duhet të reflektojë për të siguruar pjesëmarrjen në Europianin e ardhshëm dhe nëse nuk ia dalin atëherë do të ishte katastrofë. Në një format me 24 ekipe mungesa në Europian, për më tepër me këtë grup që kemi, duket krejtësisht dështim, ndaj dhe specialistët mendojnë se zgjatja e kontratës me Edi Rejën nuk është zgjedhja e duhur. Në fakt, kontrata e veteranit italian mbaron në nëntor por Duka e ka lënë të hapur mundësinë e rinovimit, duke e quajtur rezultatin e Rejës në krye të përfaqësueses tonë unikale me arritje. Kjo jo vetëm nuk është e vërtetë, por dështimi në Ligën e Kombeve përballë Izraelit dhe Islandës, dy skuadra të nivelit tonë e ndoshta “pesha më të lehta”, tregon se Reja nuk ka çfarë jep më tej. Gjithsesi, veterani italian vijon të jetë në krye të skuadrës dhe në miqësoret e fundit. Madje ai do të jetë trajner edhe në duelin miqësor me Italinë, deri në fund të muajit e ndoshta në fund të vitit, kur do të merret vendimi për të ardhmen e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here