Kategoria e Parë vijon të dhurojë surpriza për sportdashësit, sidomos falë rivalitetit të disa skuadrave që pretendojnë të ngjiten në elitë. Janë të paktën 3 ekipe deri tani që e kanë prezantuar këtë objektiv dhe Dinamo e Flamurtari mbeten favorite, por nuk qëndron shumë pas Korabi që gjithashtu ka ambicie të mëdha. Dje ishte radha e dinamovitëve që pas dy zhgënjimesh radhazi, në humbjen me Flamurtarin dhe barazimin me Korabin, të kthehej tek trepikëshi, me një rezultat të pastër e bindës, por ishte një fitore që e kthen në kryesim dhe i rikthen Dinamos ëndrrën për të qenë vazhdimisht e para në renditje. Kuptohet, në garë është dhe Flamurtari, por rivaliteti mes tyre deri në fund duket i garantuar. Kështu, pas barazimit me Korabin, Dinamo rikthehet te triumfi në Kategorinë e Parë teksa në stadiumin “Selman Stermasi”, blutë e kryeqytetit mposhtën me rezultatin 2-0, Turbinën. Në fakt nuk ishte një ndeshje e lehtë përballë cërrikasve, dhe vendasit e zgjidhën atë vetëm në fundin e pjesës së dytë. Teksa sfida ishte e mbërthyer në barazim pa gola, Perloshi realizoi në minutën e 81-të dhe më pas erdhi goli i Prodanit në minutën e 95-të, që vendosi tre pikët në kasafortë. Tre pikë që e rikthejnë Dinamon në krye të klasifikimit me 18 pikë, edhe pse kryeqytetasit duhet të presin ndeshjen e Flamurtarit që ka një sfidë më pak për momentin. Nga ana tjetër, Turbina mbetet në vendin e fundit me vetëm pesë pikë pas nëntë ndeshjeve të para.
Situata/ Burreli-Apolonia baras, një pikë i kënaq të gjithë
Në zonën verilindore të vendit dy skuadra janë rivale të fortë për kreun e tabelës, Korabi i Peshkopisë dhe Burreli i Matit. Pikërisht dje, Burreli dhe Apolonia janë ndarë në një barazim 1-1 në sfidën e parafundit të javës së nëntë të Kategorisë së Parë. Deri në minutën e 88-të, ishin vendasit të cilët po udhëhiqnin sfidën me një gol të Stanës, por më pas fierakët barazuan me Gjatën. Kështu Burreli ndodhet në vendin e 9-të, ndërsa Apolonia në të 10-in.
Lushnja barazoi, por tensioni i së shtunës ishte i fortë
Dy ditë më parë, të shtunën,, ndeshja e Kategorisë së Parë mes Lushnjës dhe Luzit u mbyll në rezultatin 2-2, me miqtë që realizuan dy golat e parë e më pas ishin vendasit që reaguan në fraksionin e dytë. Ndërkohë, sfidës, nuk i mungoi edhe tensioni i shkaktuar nga tribunat e stadiumit Roza Haxhiu. Teksa regjistroheshin minutat e fundit të pjesës së parë, dy tifozeritë nisën përplasjet me situatën që ashtu siç e tregon edhe video e mëposhtme, u agravua shumë. Kjo solli për disa çaste edhe ndërprerjen e ndeshjes, derisa në tribuna u rivendos rendi.
Renditja
Në Kategorinë e Parë, pas ndeshjeve të fundjavës që lamë pas, garën e udhëheq Dinamo me 18 pikë, ndjekur nga Flamurtari me 17 pikë, më pas Besa e Kavajës me 15 pikë e në vend të katërt Korabi i Peshkopisë me 14 pikë. Poshtë Korabit në vend të pestë është ngjitur Luzi i vogël me 13 pikë. Më tej vijnë ekipet e tjera. Duhet thënë se vlonjatët kanë një ndeshje më pak, takim që do ta luajnë sot ndaj Skënderbeut, një duel i zjarrtë në Kategorinë e Parë. fitorja do t’i ngjiste vlonjatët sërish në majë pas nëntë javëve të para të kampionatit.








































