Protesta e thirrur më 12 nëntor nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe mëkëmbësi i tij, ish-presidenti Ilir Metaj duket se do të degjenerojë në dhunë e kaos. Ditët e fundit eksponentët më të lartë të “Foltores” dhe Partisë së Lirisë kanë ashpërsuar tonet dhe madje kanë kërcënuar kryeministrin Edi Rama që të mendohet mirë, pasi të shtunën e 12 nëntorit, do të përballet me revoltën popullore e cila ka në plan për ta nxjerrë zvarrë nga zyra. Por teksa sot ndodhemi shtatë ditë para protestës kombëtare që “Foltorja” e mbështetur nga Partia e Lirisë ka thirrur në Tiranë para Kryeministrisë, gazeta “SOT” ka mësuar se shërbimet inteligjente vendase dhe partnere kanë ngritur alarimin dhe janë tejet të shqetësuara, pasi tubimi i javës tjetër mund të degjenerojë në dhunë e kaos. Për këtë arsye ata janë vënë në lëvizje dhe po koordinohen me institucionet ligjzbatuese në mënyrë që të parandalojë çdo skundre dhune. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë të dhënash shtesë do të kenë shërbimet inteligjente, të cilat do të marrin masat, bashkë me Policinë e Shtetit për të parandaluar përshkallëzimin dhunës gjatë protestës së 12 nëntorit, e cila në prapaskenë po ushqen si ide dhe i vetmi “as nën mëngë” që i ka mbetur Sali Berishës dhe Ilir Metajt për të treguar se janë faktor në politikë, gëzojnë mbështetje popullore dhe frikësojnë Edi Ramën më përmbysjen e qeverisë së udhëhequr prej tij.
Berisha paralajmëron dhunë
Por ndërsa shërbimet inteligjente kanë ngritur alarmin dhe janë shfaqur të shqetësuara se protesta e 12 nëntorit mund të degjenerojë në dhunë, ish-kryeministri Sali Berisha “i ka hedhur edhe më tej benzinë zjarrit”. Duke folur dje në një konferencë për shtyp zoti Berisha foli për skenarët e mundshme të zhvillimit të protestës, ndërsa paralajmëroi se tubimi mund të shkojë drejt mosbindjes civile. “Se cili është skenari i protestës, do shpaloset gjatë protestës. Ne i qëndrojmë parimeve të protestave brenda spektrit të mosbindjes civile, që është e pranueshme në manualet e protestave demokratike”, deklaroi ai. Po ashtu, Berisha foli për çështjen e regjistrimit të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe se cilën palë do të njohë KQZ. “Ka një vendim gjykate ku ai ka vendosur mbi këtë realitet për Kuvendin, logon dhe vendimet e PD. Gjithçka është e ligjshme. E paligjshme është përpjekja e Edi Ramës për të konfiskuar flamurin e PD. PD ka të drejtë t’i përgjigjet atij në mënyrën e merituar”, u shpreh ai.
Kreu i “Foltores” i kujton Ramës 20 shkurtin
Ndërkohë Berisha ka shprehur bindjen se do të do të dalë me fitore në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, kreu i demokratëve theksoi se nuk asnjë dyshim që zgjedhjet do të fitohen nga opozita, ndërsa i kujtoi kryeministrit Edi Rama 20 shkurtin e 1991-it, datën kur u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha. “Fitorja do të jetë e madhe. Unë shoh tisin e saj. Nëse e ndoqët debatin e djeshëm, krahasoni atë tjetrin me këta tre që u paraqitën si të krahasosh natën me ditën. Fitorja është e madhe shumë biles, i them Edi Ramës të mos provokojë se ka edhe 20 shkurt, e di ai”, nënvizoi dje Berisha.
































