Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Albana Shtylla ka prezantuar dje në Komisionin e Ligjeve projekt buxhetin për vitin 2023. Shtylla kërkoi rritje të buxhetit, ndryshe nga çfarë është parashikuar për KPA për vitin 2023. Sipas saj, buxheti prej 197.4 mln lekë i parashikuar për KPA nuk është i mjaftueshëm, pasi ky institucion ka më shumë shpenzime për personelin, por edhe për mallra apo shërbime që janë të nevojshme për KPA. Nga ana tjetër, Shtylla thotë se i duhet buxhet edhe për ambiente shtesë me qira, pasi ambienti aktual që kanë në Kuvend, ka një hapësirë të kufizuar për personelin prej 57 personash që ka KPA. Ambientet shtesë, sipas saj janë, të domosdoshme që KPA të ushtrojë funksionin e saj. Por ndalur në kërkesën e Shtyllës për ambiente me qira, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi tha se buxheti që përdoret për sigurimin e jetesës dhe shëndetit të anëtarëve të KPA mund të hiqet në këtë kohë krize dhe të përdoret për një tjetër nevojë që ka KPA. Bylykbashi tha se sigurimi i jetës dhe shëndetit është shpenzim luksi në këtë kohë krize, ndërsa sipas tij, nuk është aq e nevojshme pasi deri më tani nuk ka pasur asnjë rast të publikuar se anëtareve të KPA iu rrezikohet jeta. Mirëpo sugjerimi i Bylykbashit u kundërshtua nga kryetarja e KPA, e cila tha se sigurimi i jetës dhe shëndetit për anëtarët e KPA është një e drejtë e garantuar me ligj. Por përtej kësaj, Shtylla tha se është e domosdoshme, pasi ndonëse nuk ka pasur asnjë rast të publikuar, anëtarët e KPA janë kërcënuar, si edhe vazhdojnë të marrin kërcënime.









































