Kategoria Superiore u kthye shpejt në fushë, këtë herë për një xhiro të ndërmjetme mes jave, në kuadër të javës së 11-të të saj, ku nisën me dy ndeshje për të vijuar tre takime sot. Dy barazime u regjistruan dje, ku asnjëra palë nuk fitoi e asnjëra palë nuk humbi jo thjesht për rezultatin e nga një pikë e marrë, por për rëndësinë e bankinave, e cila edhe këtë javë për katër skuadrat Erzen, Bylis, Teuta e Kastrioti vijojnë të qëndrojnë, por me dorë në zemër.
Ndeshjet
Erzeni ka qenë surpriza më e madhe e fazës së parë të kampionatit pasi ndodhet në treshen e parë të renditjes, një skuadër që është e vështirë të mundet. Ndërkohë, ditën e djeshme, Erzeni dhe Kastrioti e mbyllën në paqe takimin e raundit të 11-të të Superiores. Në stadiumin “Niko Dovana” sfida u mbyll me rezultatin 1-1. Takimi nisi me ritëm të lartë, pasi krutanët e gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e shtatë. Bedri Greca shfrytëzoi maksimalisht kthimin e topit nga shoku i tij Stojanoviç, për të dërguar topin në rrjetë me një goditje me kokë. Në minutat në vijim Erzeni mori frenat e lojës, por pa arritur të gjente barazimin në pjesën e parë. Megjithatë, goli i shumëpritur për shijakasit erdhi në fraksionin e dytë, në minutën e 56-të me Nonaton, i cili realizoi një gol fantastik brenda zonës. Të dyja skuadrat provuan sërish për të gjetur avantazhin, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fundin e sfidës. Pas kësaj jave Erzeni mbetet në vendin e tretë me 17 pikë, ndërsa Kastrioti në vendin e gjashtë me 14 pikë. Sfida tjetër midis Bylisit dhe Teutës, në “Adush Muça”, u mbyll pa gola. Asnjë ekip nuk ia doli mbanë të fitonte, edhe pse synimi kryesor ishte triumfi. Rastet për të gjetur golin nuk munguan në të dy krahët, gjithashtu pati edhe pretendime për penallti. Në minutën e 84-t, Teuta mbeti me 10 lojtarë në fushë, pas daljes me të kuq të qendërmbrojtësit Artan Jazexhi, i cili mori kartonin e dytë të verdhë. Pas kësaj sfide, Bylis ngjitet përkohësisht në vendin e shtatë me 12 pikë, ndërsa Teuta mbetet në vendin e fundit me tetë pikë.
Qëndrimi i Shkëmbit
Trajneri Bledi Shkëmbi tha pas takimit se ishte i kënaqur me lojën e skuadrës. “Ne patëm momentet tona të mira që mund të shënonim, por edhe kundërshtari pati momente të mira për të shënuar. Si shkoi loja deri diku jam i kënaqur me pikën dhe me futbollistët pasi dhanë të gjithë maksimumin, punuan e luftuan, duke pasur parasysh që ishte ndeshja e dytë në pak ditë. Me Laçin harxhuam shumë energji duke e ditur si shkoi rezultati dhe e provuam deri në fund. Sot kishim momentet tona të mira në mbrojtje dhe kishim disa momente që të rrezikonim. Ne trajnerët mund të kemi lloj-lloj mendimesh e justifikimesh, por edhe portieri kundërshtar pati momente që reagoi shumë mirë. Unë respektoj shumë kundërshtarët, trajnerët që punojnë e lojtarët që djersijnë. Nuk mund të them që luajtëm kundër portierit, por kundër një kundërshtari të fortë, që luan futboll dhe ka një ekip të mirë”, theksoi Shkëmbi.
Java 11
E mërkurë
Bylis-Teuta 0-0
Kastrioti-Erzeni 1-1
Të enjten, ora 13:00
Tirana-Egnatia
Kukësi-Vllaznia
Laçi-Partizani
Renditja
1.Partizani 19
2.Tirana 18
3.Erzeni 17
4.Vllaznia 15
5.Egnatia 15
6.Kastrioti 14
7.Bylis 12
8.Kukësi 11
9.Laçi 11
10.Teuta 8