Një tjetër lojtar shqiptar po tenton të shkojë jashtë vendit dhe referuar asaj që shkruajnë mediumet sportive me siguri që do të jetë një hap cilësor në karrierën e tij. Bëhet fjalë për një portier të ri të talentuar që luan me “nëndetësen” dinamovite. Referuar asaj që shkruan “SuperSport” portieri i Dinamos, Simon Simoni, do të transferohet në janar në një nga pesë skuadrat kryesore të Bundesligës Gjermane. Burime të sigurta nga klubi gjerman, i cili do të zbulohet në javët e ardhshme, konfirmojnë se është arritur marrëveshja paraprake, ndërsa po përcaktohen detajet e fundit, por vetëm në muajin e parë të vitit 2023 do të publikohen të gjitha detajet e kontratës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se portieri 18-vjeçar do të nisë përgatitjet për transferimin që do të kryhet në merkaton dimërore. Simoni do të nisë mësimin e gjuhës që të përshtatet shpejt me Gjermaninë dhe kampionatin atje, para se të konkretizohet kjo lëvizje. Minutazhi i aktivizimit me Dinamon do të reduktohet dhe fokusi do të jetë që lojtari i Shqipërisë U-21 të jetë gati për nisjen e aventurës së re. Nëse kjo realizohet, atëherë Simoni do t’i bashkohet “armatës” së kuqezinjve që kanë mundur nga kampionati shqiptar të kapin majat, sikurse ka ndodhur me Myrto Uzunin që tani luan në Spanjë me Granadën, apo dhe lojtarë të tjerë që janë bërë pjesë e klubeve të njohura në Ukrainë, Hungari, Kroaci, Turqi, Zvicër, Itali e deri në Angli. Për Simonin oferta gjermane është vlerësim i madh dhe me siguri që portieri nuk do ta humbasë këtë shans. Nëse lëvizja realizohet, atëherë Simoni u bashkohet edhe emrave të “gardianëve” cilësorë që luajnë jashtë si Berisha, Strakosha, Kastrati etj, sportistë që kanë bërë karrierë të suksesshme e cilësore jashtë vendit. Të luash në Bundesligë është arritje e madhe në karrierë.