Google search engine
Home Politike Partia e Lirisë voton Sekretarin e Përgjithshëm, zv/kryetarin e 4 nënkryetarët pa...

Partia e Lirisë voton Sekretarin e Përgjithshëm, zv/kryetarin e 4 nënkryetarët pa rivalë, zgjedh dhe kryesinë e re të saj, aleatët i mbyllin derën çiftit Meta-Berisha dhe shpërthejnë në akuza

0
239

Edhe pse Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilësoi një votim demokratik, duket se gara për postet drejtuese në parti do të jetë një votëbesim. Dje u zhvilluan zgjedhjet për strukturën e re të Partisë së Lirisë. Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar u votua për Kryesinë, Zëvendëskryetarin, Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët. Nga 33 emra që garojnë, do të zgjidheshin vetëm 22 prej anëtarëve të Partisë së Lirisë. Kështu në garën për katër nënkryetarët e Partisë, ishin vetëm katër emra, Petrit Vasili, Erisa Xhixho, Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi. E njëjta gjë, vlen edhe për zv/kryetarin e Partisë së Lirisë, që pritet jetë Agim Nesho, si dhe Sekretar i Përgjithshëm, i cili pritet të jetë Tedi Blushi. Gjatë fjalës së tij, në çelje të punimeve të Komitetit Drejtues, Meta hodhi akuza edhe ndaj qeverisë ku tha se Rilindja e ka zgjedhur me qëllim sektorin e arsimit për ta poshtëruar, patranozhuar dhe nënshtruar. “S’kemi të bëjmë me mungesë mundësisë, e kemi treguar se ka mundësi. Kemi të bëjmë me një politikë të vetëdijshme për të nënvlerësuar pedagogët, intelektualët dhe çdo mendim kritik e përparimtar të shoqërisë me qëllim që të gjithë të jetojnë me frikë nga pushteti dhe nga përpjekjet e tij për të intimiduar për këdo që mendon i lirë. Rilindja e ka zgjedhur me qëllim këtë sektor për ta poshtëruar, patranozhuar dhe nënshtruar. Do dështoj kjo politikë, pedagogët, studentët, arsimtarët, do jenë flakëndezësit e parë të frymës për liri, dinjitet e për një Shqipëri si e gjithë Europa”, tha Meta. Ndërkohë, Edmond Haxhinasto është zgjedhur kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë. Në fjalën e tij, Haxhinasto shprehu falënderime për besimin që i dhanë, duke thënë se shumë punë e presin përpara. Gjithashtu, ai u shpreh se së bashku do të punojnë për të detajuar programin e Partisë së Lirisë. “E shikoj me shumë përgjegjësi këtë detyrë. Jeni një ekip shumë i fortë kështu që do përpiqemi të arrijmë atë sinergjinë e nevojshme për të detajuar një program që është kristalizuar në vijat e tij kryesore”, u shpreh Haxhinasto.

Shehi: Fatkeqësisht Berisha gaboi, bëri koalicion me Metën

Nga ana tjetër, aleatët vijojnë akuzat ndaj Metës dhe Berishës. Ka qenë kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, i cili gjatë një prononcimi për mediat theksoi dje se për zgjedhjet vendore duhet një formulë gjithëpërfshirëse. Ai  tha se primaret nuk japin mundësinë e bashkimit të opozitës. “Zgjedhjet e 6 marsit ishin një katastrofë për opozitën. Duke hequr Shkodrën që prodhoi një kryetar bashkie pozitiv, të tjerat u humbën. Më 6 mars fitoi Edi Rama dhe unë nuk dua që kjo të përsëritet më 14 maj, unë dhe të tjerët që jemi në opozitë. Kam dashur të gjejmë një formulë tjetër që është më e ajrosur, që i përfshin të gjitha palët. Jemi në fillim të kësaj pune. Uroj që të mbërrijmë një lloj marrëveshje me një njeri dinjitoz. Unë uroj që këta muaj të rishikohen dhe të mbërrijmë në një lloj bashkimi opozitar”, tha  ai. Shehi kritikoi edhe aleancën e nënshkruar pak ditë më parë mes PD-së së Berishës dhe Partisë së Lirisë së Metës. Sipas Shehit, një hap i tillë duhej bërë pas ribashkimit të partisë.“Fatkeqësisht zoti Berisha e bëri një gabim. Para se të mbyllë temat e brendshme, shkoi e bëri aleancë me Metën. Duhej të mbylleshin njëherë çështjet brenda PD. Unë prapë jam optimist nga natyra. Nuk kam ndërmend të tërhiqem nga teza ime”, tha ai. Shehi theksoi se opozita duhet të gjejë një formulë tjetër për zgjedhjet vendore të 14 majit dhe shtoi se do t’i bashkohet protestës së 12 nëntorit.“Gjykoj që ka ardhur dita që opozita të gjejë një formulë tjetër. Unë gjykoj që nuk është e mjaftueshme kjo aleancë. Vazhdoj të punoj me idenë që kryetari i aleancës së Tiranës të jetë kandidati për Bashkinë e Tiranës. Ka një ngutje që të dalin përpara si “ne jemi shefat”, ne punojmë. Nuk kemi nevojë për tifozët e partisë. Nuk kemi më detyrimin t’u shkojmë mbrapa grupeve që e kanë shpërdoruar shansin që u ka dhënë historia”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here