Lacio s’i jepte formacionin, Majorka e rrit vlerën e Muriqit në 40 mln euro

0
167

Që një lojtar të ketë sukses në një skuadër duhet që ai të jetë aty në kohën e duhur dhe tek klubi i duhur. Kjo me sa duket po ndodh në këtë moment mes Vedat Muriqit dhe Majorkës në Spanjë. Paraqitjet e shkëlqyera të këtij fillim-sezoni e kanë rritur dukshëm vlerën e kartonit të Vedat Muriqit. Majorka ua ka bërë të qartë ndërmjetësuesve të saj: do ta shiste përfaqësuesin kosovar vetëm për 40 milionë euro. Vedat Muriqi është bërë njëri prej yjeve të La Ligas. Futbollisti kosovar po shkëlqen në fanellën e Majorkës këtë fillim-sezoni. 28 vjeçari i ka realizuar 6 gola nga 10 sa i ka shënuar krejt ekipi, më saktësisht 60 për qind të golave. Ai madje është golashënuesi i katërt më i mirë në kampionatin spanjoll, duke i lënë prapa yjet si Benzema, Griezman, Morata e Kavani. E kjo ka bërë që edhe vlera e kartonit të futbollistit prizrenas të rritet. Sipas mediave spanjolle, respektivisht portalit “futboldesdemallorca”, Majorka e ka bërë të qartë kërkesën fikse për lojtarin. Klubi spanjoll e ka rritur së fundmi klauzolën e shkëputjes së kontratës me Muriqin. Për ish-futbollistin e Lacios, klubi ishullor i kërkon hiç më pak se 40 milionë euro. Drejtuesit e Majorkës ua kanë bërë me dije ndërmjetësuesve s’e s’do të hiqnin dorë nga “Pirati” për një shumë më të ulët se kjo. Majorka synon ta mbajë ish-futbollistin e Rizesporit dhe Fenerbahçes për një kohë të gjatë. Por, një ofertë e parefuzueshme do të bënte që drejtuesit e klubit t’i ngrinin duart lart. Mbetet të shihet nëse do të arrijnë oferta për Muriqin gjatë janarit apo në verën tjetër. Përfaqësuesi kosovar nga ana e tij ndihet mjaft rehat në Majorka, por futbollit nuk i dihet kurrë. Muriqi krahasohet në La Liga me lojtarët që kanë shënuar më shumë deri tani, duke qenë para Benzemasë dhe Griezmanit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here