Ish-kryeministri Sali Berisha duket se po rrit presionet ndaj mbështetësve të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ndërsa ka bërë thirrje që ata duhet të tërhiqen nga padia e 3 nëntorit. Berisha po firmos marrëveshje me aleatët, ndërkohë që ende nuk ka dritë jeshile për sukses negociatash me demokratët. Por, nënkryetari i “Foltores”, Oerd Bylykbashi, deklaroi se ka një ndryshim të pozicionit të tyre në raport me 6 marsin, gjykatën dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, grupoi i Alibeajt duhet të tërheq padinë në gjykatë. “Në 11 dhjetor 2021, në Kuvendin e saj historik, PD-ja miratoi dhe futi në statut primaret. Kjo normë, si i gjithë statuti, është pranuar me vendim gjykate. Ka një vendim gjykate që është sot në fuqi. Mes një vendimi gjykate dhe një padie që e kundërshton, ajo që ka peshë është vendimi i gjykatës. Padia duhet të provohet. Peng mund të të mbajë dhe një “gozhdë”, por kjo nuk do të thotë që “gozhda” ka të drejtë në raport me pjesën tjetër. Gjëja më e thjeshtë për të shkuar shpejt drejt mbylljes së plagës është tërheqja e padisë”, tha Bylykbashi. Në lidhje me listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore, Bylykbashi tha se marrëveshja është për një aleancë politike.“Ajo është marrëveshje për një aleancë politike, nuk është marrëveshje koalicioni zgjedhor. Marrëveshja e djeshme nuk shkon në KQZ. Kemi ende kohë për të parë kush janë instrumentet që na maksimalizojnë votën. E rëndësishme është që ne t’i ofrojmë shqiptarëve një PD që bashkohet maksimalisht rreth parimeve, vlerave dhe objektivave të veta politike”, tha ai.
Negociatat brenda PD, Paloka: Askush nga ne s’ka vendosur kushte
Ndërkohë nga ana tjetër, edhe kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, foli lidhur me negociatat që po zhvillon me palën tjetër demokrate, me qëllimin për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhje. Lidhur me takimet që ka zhvilluar me Gazment Bardhin, Paloka u shpreh këtë fundjave në një studio televizive se vë re një vullnet për bashkëpunim, por ende nuk thotë dot nëse do të ketë një rezultat. Ai shtoi se janë futur në bisedime pa kushte, ndërsa ritheksoi edhe një herë që mirë do të ishte që dhe pala tjetër t’i qëndronte këtij aksi, pra të mos vendosë kushte. Paloka tha se të enjten e shkuar, ishte takuar me Bardhin në kafen ne Kuvendit, për t’i qëndruar fokusit syrit të mediave.“Mu duk se kishte vullnet për bashkëpunim, për daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale. Kemi pranuar se janë bisedime ku të dy palët hyjnë pa asnjë kusht. Jemi krejtësisht të hapur për të gjetur zgjidhjen për daljen me një kandidat të përbashkët. Nëse këto bisedime kanë sukses, më vonë e shoh si një hap që do çonte në bashkimin përfundimtar. Realiteti tjetër është grupi i deputetëve që ne po bisedojmë, që edhe ata të japin mbështetje për kandidatura të përbashkëta. E kam të vështirë të them nëse do të arrihen në rezultat, thashë se ne nuk kemi vënë kushte dhe do doja që dhe pala tjetër të mos vinte kushte. Nuk kemi hyrë në biseda me numra dhe emra me Bardhin, ka qenë bisedë në parim. Të enjten e kaluar kemi zhvilluar një takim në kafen e Kuvendit. Duhet t’i qëndrojmë asaj që asnjë palë nuk kemi vënë kushte”, tha Paloka.
Paloka: Kur Meta e Berisha bashkëpunojnë, fitojnë
Më tej kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka folur edhe në lidhje me marrëveshjen mes Parisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë. Paloka u shpreh se çdo herë që Ilir META E Sali Berisha kanë bashkëpunuar, e kanë dërguar koalicionin në fitore. Ai shtoi se e sheh si absurd faktin që ka brenda PD deputetë që nuk duan fitoren e kësaj partie.“Kemi qenë në aleancë me LSI edhe në zgjedhjet e fundit por marrëveshje të nënshkruar dhe bashkëpunimi Meta-Berisha, sa herë kanë bashkëpunuar e kanë çuar koalicionin në fitore. Ky është qëllimi i marrëveshjes. Pjesa më e madhe e shohin si rrezik këtë marrëveshje e ka pakënaqësi edhe brenda pjesës tjetër të deputetëve të PD. Duket absurde që deputetë të PD nuk duan fitoren e PD”, tha ai.