Drejtori ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias Koloreto Cukali foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi deklaratat e bëra së fundmi nga kryeministri Edi Rama në drejtim të televizionit Top Channel.
Cukali tha se Rama nuk mund të ankohet për modelin që vet ndërtoi dhe përsosi që kur ishte në krye të bashkisë së Tiranës, duke e bazuar marrëdhënien me mediat në bazë favoresh.
Ai tha se nga një vëzhgim i parë kronikat e TCH i vlerëson si korrekte, megjithatë shtoi se kryeministri e ka të drejtën ta padisë TV për shpifje.
Cukali vuri në dukje se fakti që Rama nuk ndërmerr vendime ligjore, do të thotë që ai po bën një lojë “shantazh- kundërshantazh”.
“Ka mekanzima ku nëse bëhet fjalë për një shpifje, mund të bëjë një ankesë pranë Këshillit të Medias. Nuk i takon kryeministrit të caktojë cili është lajm i rremë apo jo. U futa për të parë lajmet që tha kryeministri, kërkojnë një vëzhgim më profesional nga Bordi i Etikës. Por në një vëzhgim të parë nuk pash lajme të rreme. Te tërmeti kishte dëshmi, një TV mund të ketë burimet e veta që s’është i detyruar t’i zbulojë. Sa i takon akuzës apo insinuatës së kryeministrit se ka media që duan ta shantazhojnë dhe i kërkojnë favore. Do ishte serioze të thoshte çfarë favore i kanë kërkuar dhe hajde të diskutojmë. Sepse marrëdhënia e tij me median është e ndërtuar pikërisht mbi dhënie favoresh. Nëse të gjitha mediat marrin favore, kryeministri s’mund të ankohet për një media, edhe sikur të jetë e vërtetë. Duhet të hedhë vështrimin një herë te vetja dhe modeli i tij i komunikimit. Një pjesë e mediave janë ndërtuar për t’i kërkuar favore kryeministrit. Modelin e ka kërkuar ai, e ka përsosur ai. Është model i mbartur që kur ishte në krye të bashkisë. Ai nuk mund të ankohet nga model që e ka krijuar vetë”.
Unë s’jam pjesëtar i Top Media, kam një program radiofonik. Jam i jashtëm, nuk jam i punësuar. S’jam pjesë e departamentit të tyre të informacionit. Më lejoni të flas në kuadrin e një eksperti të etikës, që kontribuon në këshillin e etikës, part-time. S’ka rëndësi emri i televizionit. Para ca kohësh i çoi një eksavator një tjetër pronari. Problemi është te marrëdhëniet që ka krijuar kryeministri me pronarët. Tendenca e kryeministrit është që t’u kujtojë gazetarëve pronarët. Kronikat që kishte aluduar kryeministri në tweet-in e vet mua mu dukën korrekte. Por janë të hapura opsionet që ta hedhë edhe në gjyq për shpifje. Ligji i shpifjes është shumë i mirë. Kryeministrat shqiptar në përgjithësi fitojnë nëpër gjyqe. Shanset për të fituar si kryeministër janë shumë të mëdha, kur ke një minimum të drejtë. Fakti që ai s’ndërmerr asnjë veprim ligjor dhe s’përdor mjete të tjera si mekanizmi vetrregullues, do të thotë që ai po bën një lojë shantazh, kundërshantazh. Është një lojë politike që s’ka të bëjë shumë me mediat. Po korr marrëdhënien që ka ndërtuar me mediat ndër vite.
Faktet i ka nxjerrë herë opozita, herë mediat, ku kemi parë biznese që ndërkohë kanë pronarë oligarkë, që kanë fituar nga kontratat publike. Kemi parë njerëz që kanë në pronësi media, ndërkohë që kanë biznese kontratash, koncesionesh, lejesh ndërtimi me qeverinë. Një pjesë e madhe e mediave janë të detyruara edhe nëse s’kanë dashur të hyjnë në këtë marrëdhënie me qeverinë, për të përfituar financiarisht. Perceptimi është që kjo marrëdhënie është kthyer në një model bazë biznesi të mediave shqiptare. Ngrihen portale apo blihen TV për të plotësuar këtë marrëdhënie. Lojën kryesore e bën qeveria meqenëse ka në dorë për të dhënë shumë më tepër se opozita. Këtë nyje është përsosur gjatë qeverisë Rama. Ai ka dhënë dorën finale këtij procesi që do jetë e vështirë për t’u çrrënjosur”, u shpreh Cukali.
Sa i takon lajmeve të rreme në mediat shqiptare, Cukali thotë se shumë gabime ndodhin ngaqë s’punohet në mënyrë profesionale, mungesa e stafit, dhe mos verifikimet.
“Shumë gabime bëhen sepse nuk punohet në mënyrë profesionale dhe ka ngarkesë të madhe. Një pjesë e lajmeve janë transkiptime se çfarë thonë në rrjete sociale njëri apo tjetri. Janë lajme copy paste dhe të paverifikuara. Ose nuk merret pala e dytë, nëse një politikan akuzon dikë. Nuk janë shkelje të qëllimta por vijnë për pasoja të tjera. Nëse do ta shërojmë financiarisht median shumë nga këto probleme do të zgjidheshin. Shiten lajme të pavërteta, ose gjysmë të vërteta për të zbatuar agjenda ekonomike. I bëhet nder një filan politikani, një filan partie. Janë qoka, mediat gënjejnë për t’u bërë nder këtyre njerëzve. Për të ardhur pastaj te lajmet e pastra shantazhit, ku ka media që prodhojnë lajme për të zhvatur dikë. Unë të godas ty dhe duhet të më japësh para në formë reklame që të mos të godas”, u shpreh Drejtori ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias.