Egnatia e Duros trondit Partizanin, Tirana shkërmoq Kukësin

0
177

Java e 10-të e Kategorisë Superiore, që korrespondon me javën e parë të fazës së dytë, ka dhuruar emocione të shumta dhe rezultate befasuese. Kështu, krahas ringjalljes së Laçit, qëndrueshmërisë së Erzenit që merr pikë edhe në Shkodër, apo fitores së thellë të Kastriotit, dje ishte radha e Egnatias të shkaktonte surprizën e madhe, pasi mposhti në Rrogozhinë Partizanin 3-0, duke e frenuar në udhëtimin e tij në krye të renditjes. Nga ana tjetër, një fitore spektakolare mori Tirana ndaj Kukësit, duke iu afruar dhe një herë tjetër “demave të kuq” në klasifikim, tashmë vetëm një pikë diferencë mes tyre.

Egnatia trondit Partizanin

Partizani “bie” në javën e 10-të të Superiores, me kryeqytetasit të cilët dolën duarbosh nga Rrogozhina, me Egnatian që triumfoi pastër 3-0. Sfida nisi me Partizanin më kërkues, por nuk ia doli të shfrytëzonte rastet e krijuara përpara portës së Alen Sherrit. Të besuarit e Shpëtim Duros reaguan në mesin e fraksionit të parë, ndërsa gjetën avantazhin e dyfishtë në limitet e pjesës. Në minutën e parë shtesë, Bitri shkaktoi një penallti pas një prekje të topit me dorë dhe te pika e bardhë u prezantua Fernando i cili u tregua i saktë dhe kaloi Egnatian në avantazh në minutën e 45+4′. Dy minuta më pas, rrogozhinasit shfrytëzuan momentin e mirë dhe realizuan golin e dytë me Zejnullain, me këtë të fundit që shfrytëzoi një gabim të Bitrit. Pjesa e dytë ishte shumë e luftuar, por vendasit ia dolën shumë mirë për të administruar kronometrin dhe rezultatin, e për më tepër ia dolën të shënonin edhe golin e qetësisë. Në minutën e 70-të ishte përsëri protagonist Zejnullai, i cili shënoi në portën e kryeqytetasve. 3-0 dhe Egnatia vijon ecurinë pozitive në kampionat, me skuadrën e Shpëtim Duros që prek kuotën e 15 pikëve në vendin e katërt, ndërsa Partizani regjistroi humbjen e tretë sezonale, por ruan vendin e parë me 19 pikë, duke bërë një hap pas në nisjen e fazës së dytë.

Tirana shkatërron Kukësin

Tirana lë pas disfatën me Erzenin dhe nis fazën e dytë në mënyrën më të mirë të mundshme, me kampionët e Shqipërisë të cilët triumfuan pastër dhe bindshëm 4-1 përballë Kukësit. “Bardheblutë” kontrolluan të gjithë sfidën, ndaj një kundërshtari i cili u dorëzua pa kushte. Të besuarit e Shehit kaluan në avantazh në minutën e 42-të me anë të Hasanit, por avantazhi zgjati pak, pasi në minutën e dytë shtesë (45+2) Basha realizoi golin e barazimit. Një finalizim që krijoi idenë se takimi u rihap, por ishte vetëm një iluzion, pasi Tirana dominoi jo vetëm në lojë, por edhe në rezultat. Në minutën e 72-të, qendërmbrojtësi Behiratche realizoi duke kaluar përsëri në avantazh “badheblutë”, ndërsa 9 minuta më pas, Patrick realizoi golin e tretë duke “fundosur” verilindorët. Për të mbyllur llogaritë e kësaj sfide mendoi Limaj, i cili përktheu në gol një penallti të fituar nga Patrik në minutën e 87-të. Një sukses bindës për Tiranën që shkon kështu në kuotën e 18 pikëve dhe shfrytëzon në maksimum hapin fals të Partizanin, me kampionët të cilët janë vetëm një pikë larg “demave”, ndërsa për Kukësin kjo ishte humbja e dytë radhazi dhe e 5 në këtë sezon dhe mbetet me 11 pikë në vendin e shtatë.

Java 10

Të shtunën

Kastrioti-Bylis             3-0

Teuta-Laçi                   0-1

Vllaznia-Erzeni           2-2

Të dielën

Tirana-Kukësi              4-1

Egnatia-Partizani         3-0

Renditja

Nr/Ekipi         Pikë

1.Partizani       19

2.Tirana           18

3.Erzeni           16

4.Vllaznia        15

5.Egnatia         15

6.Kastrioti       13

7.Kukësi          11

8.Bylis             11

9.Laçi              11

10.Teuta          7

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here