Ndërkohë që prokuroria duhet të nisë hetimet për miqësoren me Arabinë, Reja “elozhe” kuqezinjve

0
171

Tashmë që ndeshja miqësore midis Arabisë Saudite dhe Shqipërisë është mbyllur në barazim 1-1, duket se prokuroria ka mjaftueshëm material për të nisur më e pakta një hetim në lidhje me atë që ka pasur apo jo shkelje në përcaktimin dhe vendimin për ta luajtur një miqësore të tillë që çuditërisht nuk është as në datat e lira të FIFA-s e nuk është luajtur as me spektatorë e as nuk është transmetuar në televizor. Në rrethana të tilla, që në fillim lindi dyshimi se një miqësore e tillë i bën dëm ekipit dhe imazhit të tij, pasi prej kësaj ndeshjeje nuk përfitonte askush, përpos se ndonjë individi apo grupi individësh që dyshohet se mund të kenë përfituar shuma financiare për ta vënë në zbatim këtë miqësore, e cila, i vlente si ndeshje kontrolli përfaqësueses së Arabisë Saudite. Flitet se kjo ndeshje kushtoi 500 mijë euro për arabët, por që këto thashetheme të marrin fund nevojitet një hetim i prokurorisë. Së pari, nëse ka shkelje të procedurës sipas statutit dhe rregulloreve të FIFA-s, e së dyti për përdhosje të imazheve kombëtare sepse ndeshja nuk u transmetua për shkak se njëra nga palët vendosi kushtet, dhe kushtet palët nuk mund t’ia vendosin njëra-tjetrës pa pasur ndërmjet diçka që ngjall interes përtej futbollit.

Reja i kënaqur me kuqezinjtë

Trajneri Edi Reja është në kushtet kur nuk e di si do të shkojë çështja e tij në krye të ekipit kuqezi. Padyshim që ai ka bërë edhe gjëra të mira me grupin, duke afruar shumë elementë të rinj, duke ua dhënë shansin, por eliminatoret e fundit në Ligën e Kombeve, qoftë si lojë e prezantuar, ashtu dhe si rezultate, ishin skandaloze, dëshmuar me vendin e fundit në grup, për më tepër kur rivalë ishin skuadra si Izraeli e Islanda që realisht nuk kanë ndonjë gjë më shumë se tanët. Pra Reja dështoi, por ai kërkon një tjetër mandat. Dhe FSHF ia ka lënë të hapur këtë mundësi, edhe pse vendimi do të merret në fund të vitit. Në prononcim e tij pas ndeshjes, Reja vlerësoi testin e përfaqësueses shqiptare ndaj një skuadre që do të marrë pjesë në finalet e Botërorit “Katar 2022”, duke shtuar se ka mbajtur shënim disa nga emrat e rinj, të cilët mund të jenë të pjesë e kuqezinjve edhe në të ardhmen. “Me Arabinë Saudite ka qenë një ndeshje mjaft interesante, kemi luajtur ndaj ekipi që ka treguar vlera të mira në fushë, por ne bëmë një ndeshje shumë të mirë, me përqendrimin e duhur, djemtë punuan shumë mirë gjatë ndeshjes, duke krijuar 4 ose 5 raste për gol për të mos harruar edhe një penallti të pa dhënë nga gjyqtari në rastin e ndërhyrjes ndaj Skukës. Duke marrë në konsideratë vlerat e Arabisë Sauditë, është e qartë që kemi bërë një paraqitje të mirë dhe për këtë duhet t’u bëj komplimentet djemve, për seriozitetin që treguan gjatë gjithë këtyre ditëve. Miqësore të tilla janë të rëndësishme për të fituar eksperiencë dhe për të nxjerrë konkluzione, ndërkohë që do të kemi edhe një miqësore të tretë në nëntor, ku do të testojmë pjesën më të madhe të lojtarëve që kisha në këtë grumbullim. Në vija të përgjithshme kemi bërë një ndeshje të mirë”, theksoi Reja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here