Igli Tare është padyshim një nga emrat e spikatur të futbollit shqiptar. Ai doli nga klubi i Partizanit dhe ndërtoi një karrierë të spikatur jashtë vendit, fillimisht në Bundesligën gjermane e më pas në Serie A italiane, me Lacion e Breshian. Duhet thënë se Tare prej shumë vitesh tashmë mban rolin e drejtorit sportiv në klubin e Lacios, ku ka marrë edhe shumë vlerësime nga shtypi italian dhe figura të rëndësishme të futbollit në atë vend, për menaxhimin e suksesshëm të skuadrës laciale. Tare është shquar për lëvizje brilante në treg, duke marrë lojtarë me çmim të lirë dhe duke i angazhuar tek Lacio i ka rritur në cilësi dhe i shet më pas miliona euro, duke i sjellë klubit fitime financiare. Nga ana tjetër, me Taren Lacio ka pasur qëndrueshmëri në Serie A, duke luajtur si skuadër rivalizuese, ku ka fituar edhe kupë, por ndërkohë mbetet shumë për t’u bërë që ajo të fitojë titullin. Nga ana tjetër, muaj më parë pati një përplasje të Tares me trajnerin Mauricio Sarri, përplasje që nxori Taren të shigjetuar nga mediat dhe nga ku pozicionimi i presidentit Klaudio Lotito dukej i paqartë dhe në krah të trajnerit e kundër Tares. Pati prej atyre miqve që i rekomanduan Tares të largohej nga Lacio e të merrte drejtimin sportiv të një tjetër klubi italian dhe për të kishte pasur interesim nga disa klube. Por si duket këto përplasje janë sheshuar dhe palët kanë gjetur mirëkuptim, aq sa së fundmi presidenti Lotito nuk i ka kursyer elozhet për shqiptarin, duke thënë se kontrata e tij me Lacion do të vazhdojë.
Lotito i jep vijimësi Tares
Pranohet në median sportive italiane dhe opinionistët e futbollit në Itali se një nga pikat më të forta për Lacion në vitet e fundit ka qenë drejtori sportiv, Igli Tare. Ish-futbollisti i kombëtares që është një nga personat më të afërt të presidentit lacial, Klaudio Lotito, ka ditur të bëjë lëvizjet e duhura në merkato duke goditur disa herë me talente e disa herë të tjera me lojtarë me eksperiencë që kanë ndihmuar kryeqytetasit të qëndrojnë protagonistë në Serie A. Por, së fundmi ishte përfolur për një ndarje të Tares me Lacion, me shqiptarin që është lidhur shpeshherë me klube të tjera italiane ndërsa në media aludohej për një konflikt mes tij dhe trajnerit Maurizio Sarri nisur nga disa deklarata të trajnerit toskan. Megjithatë, për t’i dhënë fund hipotezave të ndryshme, mendoi vetë presidenti Lotito që theksoi se Igli Tare nuk ka qenë asnjëherë në diskutim mbi të ardhmen e tij te Lacio. “Roli i Tares si drejtor sportiv nuk është vendosur në asnjë moment në dyshim. Këtu flas edhe për të ardhmen, Tare nuk është në dyshim”, u shpreh Lotito. Këtë sezon, Lacio është duke zhvilluar një sezon mjaft pozitiv dhe në Serie A mban vendin e tretë në Serie me 24 pikë të grumbulluara duke regjistruar shtatë fitore, tre barazime dhe vetëm një humbje. Lacio është në formë dhe pritet të bëjë surpriza në vazhdim gjatë sezonit, por vështirë se skuadra do të ketë shans të luftojë për titull, për shkak të rivalitetit që ka mes Milanit, Interit dhe Napolit kryesues.