Shqipëria dhe Arabia Saudite barazuan 1-1 mbrëmjen e djeshme në stadumin “Al Nahian”, një miqësore që në realitet i ka vlejtur vetëm sauditëve e aspak tanëve. Kjo histori me një miqësore shurdhmemece duhet të analizohet e pse jo të hetohet, sepse është luajtur në kundërshtim me atë që synojnë lojtarët dhe vetë publiku. Skuadra përfaqësuese i përket Shqipërisë, sepse në prezantim janë simbolet shqiptare. Nëse një palë në miqësore tenton të fshehë ndeshjen sepse nuk dëshiron të zbulohet në skemën taktike para Botërorit, indirekt ajo fsheh simbolet e vendit të skuadrës me të cilën po përballet. Dhe Shqipëria ka simbolet e saj në fanellën e skuadrës përfaqësuese që duhen njohur e respektuar, prandaj dhe ndeshjet zgjidhen e seleksionohen me kujdes që të dalin në pah simbolet kombëtare, që të reklamohen lojtarët dhe potenciali i tyre sportiv. Kjo nuk ndodhi dhe për këtë ka përgjegjës, të cilët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Përtej kësaj, ndeshja u luajt dhe përfundoi në barazim.
Ndeshja
U zhvillua, pra, dhe u mbyll në barazim 1-1 miqësorja mes Arabisë Saudite dhe Shqipërisë, e cila është luajtur nën një terr informativ, pasi vendasit nuk kanë lejuar as transmetimin dhe as raportimin për të nga brenda stadiumit. Një seleksion kryesisht me futbollistë të Kategorisë Superiore, ka përfaqësuar ngjyrat kuqezi në këtë miqësore, teksa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për vendasit, që shënuan me penallti, ndërsa në 45-minutëshin e dytë ishte Bekim Balaj që riktheu baraspeshën. Shqipëria pretendoi për një penallti në minutën e 58-të, por arbitri kryesor e cilësoi të rregullt ndërhyrjen në zonë ndaj Xhuliano Skukës, sulnuesit të Partizanit. Trajneri, e nisi ndeshjen me këtë formacion: Kastrati, Hadroj, Gurishta, Bitri, Turkaj, Marku; Mala, Deliu, Muçolli; Cikalleshi, Xhixha.
Jupi: Ndeshje për interes, duhet hetuar
Duke folur në emisionin “Sport Neës”, në “Neës 24”, ish-kapiteni i Dinamos dhe lojtari i Kombëtares, Redi Jupi, tha se kjo miqësore duhet hetuar sepse është caktuar për interes të një individi. “Në ndeshje të këtij lloji, shtete si Arabia Saudite, Katari apo vende të Lindjes së Mesme, paguajnë shumë para, të cilat në shumicën e tyre janë informale. Ia paguajnë federatave të vogla, se nuk dua të them ndonjë fjalë tjetër, si puna jonë, për të zhvilluar ndeshje të cilat nuk kanë asnjë vlerë tjetër përveçse vlerës financiare, përfitimin financiar të atij që e bën. Ndeshje të këtij lloji, institucioni jonë, ose njeriu që drejton institucionin tonë, i bën thjesht për përfitime personale. I bën në data jo të FIFA-s dhe UEFA-s, i bën të patransmetuara që është komplet jodinjitoze, zhvlerësim total i dinjitetit dhe simboleve kombëtare. Se ata të vënë kushte dhe të vënë kushte kur të paguajnë. Dhe kur pagesat bëhen siç bëhen, se nuk është fare normale. Një gjë që duhet hetuar. Këtu nuk ka më thjesht të bëjmë analiza, kjo është maskaradë, një masakër. Këtu organet ligjvënëse e ligjzbatese duhet të hetojnë për ndeshjet e këtij lloji”, tha Jupi.