Çfarë po ndodh në veri të Kosovës? Kryetari i Listës Serb lëshon paralajmërimin urgjent

0
229

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Kështu tha ai pas takimit të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Beograd.

“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiç në një konferencë për media në Beograd.

Rakiç tha se presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i është thënë se nëse “Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë dhe prona tona janë pikërisht targat që janë arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit”.

“Kur themi rezistencë paqësore demokratike të popullit, ne me të vërtetë atë e duam, por nuk e di se në çfarë do të shndërrohet e gjitha dhe si do të zhvillohet situata në terren”.

“As unë nuk e di dhe askush nga ne që jetojmë atje poshtë se në çfarë do të shndërrohet situata nëse dikush me dhunë fillon të na marrë pronën”, shtoi ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thirrur Këshillin Kombëtar të Sigurisë për të enjten në orën 10:00.

Ky takim do të mbahet pasi subjekti politik, Lista Serbe ka kërkuar takim urgjent me Vuçiq.

Pika se pse ata i janë drejtuar ‘shefit në Beograd’ është paralajmërimi për vendimin lidhur me targat nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here