Ambasadori britanik apel shqiptarëve: Mos i bëni këto udhëtime të rrezikshme, do të ktheheni në Shqipëri!

0
223

Ambasadori britanik, Alastair King-Smith, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në një intervistë në News24, në emisionin “Shënjestër” me gazetaren Klodiana Lala. Ndër të tjera ai foli për emigrimin e shqiptarëve drejt Britanisë, duke thënë se po marrin masa për ta adresuar këtë fenomen.

“Një apel për njerëzit që mendojnë të udhëtojnë, është të mos shkoni ilegalisht, mos bëni këto udhëtime të rrezikshme, mos e shkatërroni jetën tuaj. Do të ktheheni në Shqipëri dhe nuk do të mund të shkoni më në Mbretërinë e Bashkuar’, shprehet ai ndër të tjera, ndërsa shton se arsyet se përse shqiptarët zgjedhin të emigrojnë është se nuk kanë shpresë këtu.

-Keni më shumë se një vit në Shqipëri si ambasador i Britanisë së Madhe, a mund të na thoni sesi ju duket Shqipëria?

Kam pak më shumë se një vit që jam këtu dhe është një kënaqësi e madhe të jem me ju në fakt në ditën kur kemi një qeveri të re në Londër, por sigurisht që ne do të vazhdojmë qasjen që kemi pasur me Shqipërinë sepse kemi thelluar dhe zgjeruar marrëdhëniet tona dhe në fakt kjo tani po mbulon një gamë të gjerë fushash dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë qoftë në arsim, në kulturë, duke sjellë më shumë turistë në Shqipëri, duke sjellë më shumë biznese në Shqipëri.

Dhe unë mendoj se ne kemi një mundësi vërtet të fortë për ta zgjeruar atë marrëdhënie. Në përgjigje të pyetjes suaj, më ka pëlqyer shumë të udhëtoj nëpër Shqipëri, sepse në fakt Shqipëria ka një larmi të vërtetë kulturash. Është një vend relativisht i vogël, por në fakt, keni pika vërtet të forta në Veri në Jug.

Pikërisht fundjavën e kaluar, isha duke ecur në male, fundjavën para saj zbrita në bregdet. Dhe mund të shoh se Shqipëria ka atraksione të mëdha dhe potencial të madh për të ardhmen. Dhe dua të sigurohem që gjatë kohës sime këtu, gjatë viteve të ardhshme, ta bëjmë vërtet një të ardhme të ndritshme së bashku.

-Ju thoni se Shqipëria ju pëlqen, por le të hynë direkt në temë. Janë të njohura pamjet shokuese të shqiptarëve me gomone drejt Britanisë. Përse po largohen shqiptarët?

Pra, jam plotësisht dakord me ju. Është shumë shqetësuese që ky fenomen tani po ndodh me një shkallë dhe shpejtësi shumë më të madhe se më parë. Kemi parë mbi 12,000 shqiptarë që kanë shkuar deri tani këtë vit, kjo është shumë më shumë se disa qindra nga viti i kaluar. Dhe sigurisht, siç thoni ju, këto janë udhëtime të rrezikshme, ne po marrim masa për ta adresuar këtë fenomen në Mbretërinë e Bashkuar. Por gjithashtu duhet ta bëjmë këtë në bashkëpunim me partnerët tanë këtu në Shqipëri. Javën e ardhshme do të kemi një delegacion të nivelit të lartë të kryesuar nga koordinatori ynë i ri për Shqipërinë dhe këtë çështje që ka të bëjë me migracionin ilegal dhe synojmë të biem dakord për përgjigjen tonë kolektive se si do të reagojmë për ta trajtuar këtë çështje. Nuk është një çështje e lehtë, por është një çështje për të cilën duhet të punojmë vërtet së bashku. 

-A keni informacion se sa është numri i shqiptarëve që ka arritur të kalojë dhe të mbërrijë në Britani?

Pra, migrimi është një fenomen global dhe siç thoni ju, ai i ka rrënjët prapa në kohë, shumë dekada, por vazhdon në forma të ndryshme çdo vit. Ka shumë migrime pozitive. Shumë njerëz shkojnë legalisht në Mbretërinë e Bashkuar për të studiuar, për të punuar, në fakt, vetëm këtë javë, kam diskutuar me studentët se si mund të aplikojnë për programin tonë të bursave Chevening, domethënë që studentët Master të shkojnë dhe nëse dikush dëshiron të aplikojë aplikimet janë ende të hapura deri në 1 nëntor. Por sigurisht që shumë njerëz shkojnë legalisht dhe kontribuojnë në shoqërinë britanike për shoqërinë shqiptare. Por problemi është se kur njerëzit shkojnë ilegalisht, ne duam të shohim të lulëzojnë lidhjet tona midis popujve tanë, por ne duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë pozitive dhe ligjore.

Është shumë e vështirë të thuash saktësisht se sa, sepse, sigurisht, kur njerëzit shkojnë ilegalisht, ata janë të paregjistruar. Ambasadori shqiptar në Londër vlerëson se mund të jenë rreth 150,000 shqiptarë me origjinë shqiptare dhe ky është një numër i konsiderueshëm dhe mendoj se është në rritje dhe sigurisht kjo ka qenë një nga arsyet pse më shumë njerëz kanë shkuar këtë vit,  sepse kanë lidhjet familjare tani në MB.

-Cila është kjo arsye?

Pra, arsyeja është shumë e ndërlikuar. Dhe mendoj se ju mund ta dini më mirë se unë pasi i keni ndjekur ata për shumë vite më shumë se unë. Por unë shoh që ka një sërë faktorësh padyshim, lidhjet familjare, mungesa e zhvillimit në disa nga fushat që do të thotë se ka pasur fokus të pamjaftueshëm në zhvillimin e aftësive dhe vendet e punës dhe për këtë arsye, në fakt njerëzit ndiejnë presionin për t’u larguar. Sistemi ynë duhet të forcohet sepse qartësisht për momentin njerëzit janë në gjendje ta shfrytëzojnë atë në një mënyrë të pamenduar. Ne duam të jemi një komb mikpritës për ata që kanë më shumë nevojë. Por për ata që shkojnë në punë, këtë duhet ta bëjmë me rrugë ligjore. Ne do të marrim një sërë masash për të bërë një ndryshim. Së pari, padyshim, ne duhet të forcojmë sistemin tonë, por edhe të marrim masa të zbatimit të ligjit kundër atyre që do të shkojnë në rrugë Ilegale. Një apel për njerëzit që mendojnë të udhëtojnë, është të mos shkoni ilegalisht, mos bëni këto udhëtime të rrezikshme, mos e shkatërroni jetën tuaj. Do të ktheheni në Shqipëri dhe nuk do të mund të shkoni më në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo që duam të shohim është që njerëzit të mund të udhëtojnë legalisht dhe të përdorin rrugë legale për këtë, por edhe të kenë mundësi këtu. Dhe kjo është arsyeja pse këtë muaj, unë nisa programin tonë të ri, “Perspektiva të reja për qarkun e Kukësit”, i cili do të ofrojë aftësi dhe vende pune në të gjithë atë qark. Dhe ne duam ta zgjerojmë atë dhe me të vërtetë ta bëjmë diçka në mënyrë që njerëzit të kenë zgjedhje për të qëndruar, ata mund të shkojnë në MB për të studiuar, të kthehen dhe të punojnë këtu, zgjedhje të ndryshme që njerëzit mund të bëjnë dhe unë mendoj se kjo është diçka që ne të gjithë duhet ta bëjmë të punojmë së bashku për t’u dhënë njerëzve shpresë sepse mendoj se një nga arsyet ka qenë mungesa e shpresës që njerëzit mund të kenë sukses këtu në Shqipëri dhe për këtë arsye ata ndjejnë se duhet të largohen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here