Teksa ish-kryeministri Sali Berisha dhe tufa e lakenjve të tij besnikë që ushqehen nga “Foltorja” po përpiqen “me mish dhe me shpirt” dhe “helmojnë” opinion publik se kryefoltoristi është i pastër (qelibar) dhe se ndaj tij amerikanët kanë bërë gabimin më të madh që e kanë shpallur “non grata”, zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar ka rrëzuar këto pretendime false të ngritura nga “Rithemelimi”. Gazeta “SOT”, e ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosur për të çmontuar dhe ndëshkuar këdo që është përfshirë në afera, korrupsion, krim, minim të demokracisë dhe që kërkon të destabilizojnë rajonin e Ballkanit dhe Shqipërinë. Dhe duket se kjo vendosmëri e madhe e aleatit tonë më të rëndësishëm dhe strategjik që ka Shqipëria, sikundër është SHBA-ja, është ripërsëritur sërish i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ky i fundit ka rrëzuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe madje i ka dhënë një shuplakë të fortë, ndërsa ka bërë të qartë se çdo vendim mbi shpalljen “non grata” për funksionarë të lartë të shteteve të ndryshme, nuk është një vendim politik, por një përpjekje e përbashkët institucionale. Duke folur në një intervistë ekskluzive për emisionin “Prime Time” të “Kanal 10” në Kosovë këtë të mërkurë në mbrëmje, diplomati Escobar kërkoi indirekt hetimin e Sali Berishës nga drejtësia dhe qeveria shqiptare. Madje, numri dy i DASH Eskobar lëshoi edhe një mesazh të fuqishëm për Sali Berisha, teksa theksoi se zyrtarët amerikanë nuk takojnë asnjë person të shpallur “non grata” nga Uashingtoni. “Shikoni, ka arsye pse njerëzit përfundojnë në atë listë. Dhe, ky nuk është vendim politik, por është një vendim i disa agjencive financiare, institucionale dhe politike se kush përfundon në listë. Pozicioni ynë është që për njerëzit që përfundojnë në këtë listë, qeveritë dhe institucionet duhet ta marrin këtë seriozisht. Unë nuk takoj askënd që është në listë, as nuk pres që t’i takoj dhe mendoj se njerëzit e tillë duhet të trajtohen përkitazi”, deklaroi Escobar. Pra, nëse autoritet ligjzbatuese do të kenë vullnet për të hetuar personat e shpallur “non grata”, gjasat janë që shumë shpejt ish-kryeministri Sali Berisha të ndiqet penalisht dhe madje t’i sekuestrohet pasuria, duke qenë se është shpallur i padëshiruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit familjarisht.
Escobar: Do ketë tjetër listë me emra “non grata”
Më tej zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar bëri me dije se sanksione të tjera do të ketë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshi Kosovën, duke lënë të nënkuptohet se SHBA-të do të jenë të gatshëm të vendosin në dispozicion të sistemit të drejtësisë dosjet që kanë mbi persona të ndryshëm. I pyetur se a mund të ketë emra të rinj në “listën e zezë” apo e njohur ndryshe si “non grata”, sepse lidhen me korrupsion e krime financiare nga SHBA-ja, diplomati Escobar e konfirmoi. “Po, kjo është e saktë”, u shpreh ai. Ndërkohë zoti Eskobar komentoi edhe fjalimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Këshillin e Evropës sa i takon kërkesës së tij për të zhbërë raportin e Dick Martyt që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale, për shkak se aludon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer krime dhe vjedhje organesh. “Ne e përkrahim punën e Speciales. Unë besoj se çdo herë e më shumë krimet e kryera në vitet ‘90 duhet të trajtohen nga autoritetet vendëse, në mënyrë të drejtë dhe proces të duhur. Por, besoj se ende ka nevojë për Gjykatën Speciale dhe mekanizmat që e përkrahin këtë organizëm. Prandaj, po, e përkrahim Gjykatën Speciale”, tha ai.
Numri 2 i DASH flet për influencën ruse në Ballkani
Ndërkohë zoti Escobar foli edhe për stabilitetin rajonal në përgjithësi të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipëri, duke theksuar se ekziston kërcënime nga aktorë të huaj. “Më duhet të them që ekzistojnë kërcënime për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Shumë prej këtyre kërcënimeve vijnë nga jashtë. Prandaj, duhet t’i identifikojmë dhe t’i izolojmë këto kërcënime nga ndikimet e këqija nga jashtë, që vijnë drejt partnerëve tanë”, theksoi ai. I pyetur se a është Rusia një nga vende që kërcënon stabilitetin në vendet e Ballkanit, numri 2 i DASH u shpreh se ekziston. “Kryesisht nga Rusia, por jo vetëm. Kërcënimet vijnë në forma të ndryshme, politike, sociale dhe së fundi kibernetike. Prandaj, po shohim që të krijojmë marrëdhënie më të afërt me partnerët tanë, duke përfshirë Kosovën, se si të mbrohemi nga kjo. Dhe, është e vërtetë që ka disa shtete që janë të cenueshëm dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me Quintin, Bashkimin Evropian e nëpërmjet NATO-s për të parë se si do t’i adresojmë këto”, nënvizoi zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar.






































