Prokuroria e Ferizajt në Kosovë ka zhvilluar dhjetë ditë më parë një operacion të madh në zonën e Brezovicës, ku janë sekuestruar 100 vila luksoze, të cilat u përkasin politikanëve dhe biznesmenëve. Të gjithë ndërtimet janë bërë pa leje.
Mediat në Kosovë kanë publikuar sot të dhëna të reja nga operacioni, ku mësohet se dy prej tyre u përkasin vëllezërve biznesmenë të ish-presidentit të Hashim Thaçi.
Ky i fundit vetë ndodhet prej një viti në paraburgimin e Hagës, me ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Secili prej vëllezërve të Thaçit ka nga një vilë të ndërtuar në zonën turistike të Brezovicës, por që me vendim të Prokurorisë së Ferizajt prej datës 11 tetor 2022, nuk mund t’i shfrytëzojnë më.
Dy vëllezërit e ish-kryeministrit e ish-presidentit Hashim Thaçi merren prej një kohe të gjate me biznes, prej vitit 2008. Nazmi Thaçi është i përfshirë në biznesin fitimprurës të guroreve dhe drejton biznesin “Geo Mineral”, kurse Blerim Thaçi merret me biznesin e ndërtimeve dhe drejton biznesin “Ilira Builiding”.
Prokurori i operacionit “Brezovica”, Rasim Maloku në një intervistë për Gazetën Insajderi tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës për rrënimin e tyre.
“Ne do të paraqesim kërkesën tek gjykata për rrënimin e tyre. Është vendimi përfundimtar i gjykatës që me i rrënu këto objekte, është çështje ligjore dhe besojmë që edhe gjykata do të marr vendim për rrënimin e tyre”, tha Maloku.









































