Vepra “Madhështia e marrëzisë” vjen në vijim të shfaqjeve teatrore, që janë prodhim i “Fondit të teatrit për të rinj”. Vepra e autorëve Vangjel Kozma dhe Jani Duri do të vijë premierë në skenën teatrore me regji nga Ajlin Petrela. Kjo vepër, që është prodhim i “Fondit të teatrit për të rinj” bashkëpunim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe teatrit të Korçës sjell në role gjashtë aktorë. Premiera do të jetë mbrëmjen e datës 29 tetor ora 19:00 në skenën e teatrit të Korçës “Andon Zako Çajupi. Në këtë vepër shqiptare premierë interpretojnë Denis Kurushi, Ermir Hoxha, Franc Bregu, Orena Bici, Kejdi Gishto dhe Serxhjo Danga. Don Kishoti dhe Sanço janë ende gjallë. Sanço është administratori i një ishulli, të cilin Don Kishoti ia ka falur. I dyti do ta qeverisë, i pari i rezonon aty. Enden dhe rropaten mbi një ishull, që s’po ju ofron asgjë. Në mjerim politik e social. Derisa në ishullin e tyre përplasen Azilanti dhe Dylqinja. Ardhja e tyre ju jep “piramidën” e shumë pritur “udhëheqës – Popull”. Dy të parët në orvatje për ti qeverisur dhe sunduar, dy të dytët në përpjekje për të ikur, krijojnë komedinë e tranzicionit, pritjen dhe përballjen me ndërkombëtarët. Secili në përpjekjen e vet përshfaqin një tranzicion tragjikomik. Duke përfunduar një “kanibalizëm” social mes njëri tjetrit. Brenda të njëjtit rreth: “ishullit”. Ass/regj Rosela Isufi, muzika Jeris Kaso, Serxhio Hajdini; skena dhe kostumet Divni Gushta, koreografia Almenda Hoxha dhe Rinold Gjocera, art designe Renato Alickolli. Fondi dhe projektet Ministria e Kulturës akordoi fondin për të rinjtë në vlerën 10 milionë lekë të reja dhe përmes Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” mbështeten regjisorët e rinj. Fondi siç u bë me dije më parë shkon për veprat teatrore, në periudhën e realizmit prill-dhjetor. Projektet përfituese nga ky fond realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental, ndërsa teatrot e rretheve do të mbështesin projektet e këtij fondi, përmes logjistikës teatrore. Prej projekteve që po vihen në skenë, artistët e rinj kanë propozuar pjesë të dramaturgjisë shqiptare dhe të dramaturgjisë së huaj. Shpërndarja gjeografike e projekteve është në Tiranë; Korçë; Durrës, Fier, Shkodër, Pukë ,Vlorë, etj. Në përfundim të punës për të gjitha veprat, do të organizohet një javë e dedikuar festivalit të teatrit për të rinj, në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, duke e finalizuar me ndarjen e çmimeve për të gjitha kategoritë pjesëmarrëse, nga një juri profesioniste. Përmes “Fondit të teatrit për të rinj”, në vitin 2022 me një shumë prej 10 milionë lekësh të reja synohet nxitja dhe aktivizimi i krijuesve dhe interpretuesve të rinj; risjellja në një formë të re e festivalit të të rinjve; gjallërimi dhe lëvizja teatrore në rang vendi; krijimi i lëvizjes teatrore në bazë të rajoneve.








































