Konkursi “Art në hapësira publike” u mbyll me shpalljen e fituesve. Ministria e Kulturës shprehej se pas një pune seleksionuese dhe konsultuese shpalli projektet fituese të edicionit të parë të këtij konkursi ndërkombëtar. Por zhvillimi i konkurseve sjell dhe reagime të artistëve të ndryshëm, për mënyrën se si zhvillohen apo çfarë shërben në jetën artistike. Edhe me këtë konkurs mendimet janë të ndryshme, por për skulptorin Sadik Spahija rëndësi ka dhe motivimi për artistët në aktivitetin e tyre. Sipas tij konkurset në fushën e artit pamor kanë rëndësi, ndërsa thotë se në konkursin “Art në hapësira publike” ishte një sfidë e madhe konceptuale, teknike dhe artistike. Skulptori Sadik Spahija u shpall fitues me projektin e tij “Zabel”, vendndodhja 3 – Dalje Koplik. Skulptori shprehet se në dimensione të tilla është hera e parë që prezantohet një konkurs nga qeveria. “Konkursi ka rëndësi, sepse një aks kombëtar me një lëvizje njerëzore shumë intensive pasurohet me vepra arti. Dhe dimensione të tilla në fakt është hera e parë, që janë propozuar nga qeveria për artistët shqiptarë. E dyta, artistët në këtë projekt hyjnë në një sfidë edhe konceptuale, përveç sfidës së realizimit të një vepre është dhe një sfidë për ta konceptuar atë në frymën, e cila lidhet jo vetëm me veprën e artit, por dhe me situata sociale, kulturore, etj. Pra vepra në një farë kuptimi ka lidhje me shumë problematika njerëzore dhe në këtë kuptim kërkon dhe një konceptim të veçantë”, shprehet skulptori Sadik Spahija, që ishte pjesëmarrës në këtë projekt. Me rëndësi për skulptorin, janë një radhë specifikash që e bëjnë të veçantë këtë projekt. “Kjo nuk është një vepër arti e një skulpture publike që vendoset nëpër sheshe, por është në rrethrrotullim. Pra kontakti vizual i kalimtarit në shumicën e rasteve se ato janë përshkruar me makinë është i shkurtër dhe në një kohë të caktuar do të ketë energji që të ngjalli interesin, por jo të ketë ngarkesa të tilla që kërkojnë heqjen e vëmendjes nga drejtimi i makinës. Janë një radhë specifikash, dinamike, kinetike dhe vizuale që e bëjnë të veçantë këtë projekt”, thotë skulptori dhe pedagogu i arteve.
Artisti dhe vepra
Skulptorit Sadik Spahija thotë se propozimet në një konkurs bëhen përpara disa kërkesave që janë vënë. Këto sipas artistit duhen pasur parasysh nga ata që merren me veprën e artit. “Nukështë thjesht një skulpturë, që të zbukurojë ambientin, por do krijojë një shije të mirë për të gjithë udhëtarët që përshkojnë këtë rrugë. Qeveria shqiptare ka vënë disa kërkesa për t’i pasur parasysh artisti gjatë realizimit”, thotë Spahija. Sa i takon veprës “Zabel” sipas autorit është skulpturë poetike, që merr përsipër të interpretojë dhe të shkrijë natyrën me metalin, drurin dhe gjelbërimin. Juria ndërkombëtare në konkurs përbëhej nga Helidon Xhixha kryetar dhe anëtarë Frida Pashako, Michele Bonuomo, Gregor Hildebrandt dhe Bernhard Schëenk. Kolegjiumi në ministri përbëhej nga Matilda Pando kryetare dhe anëtarë Driant Zeneli, Gent Gjikola, Doris Alimerko dhe Arian Avrazi. 139 propozime nga artistë shqiptarë e të huaj u paraqitën në edicionin e parë të “Art në hapësira publike” bëhej me dije nga Ministria e Kulturës më parë.








































