Kremlini konfirmoi ditën e djeshme se të katër rajonet ukrainase që aneksoi së fundmi janë nën mbrojtjen e arsenalit bërthamor të Rusisë. I pyetur nga gazetarët nëse këto rajone janë nën ombrellën bërthamore ruse, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: “Të gjitha këto territore janë pjesë e patjetërsueshme e Federatës Ruse dhe të gjitha janë të mbrojtura. Siguria e tyre është e garantuar në të njëjtën masë si pjesa tjetër e territorit rus. “Presidenti rus Vladimir Putin tha muajin e kaluar se Moska është e gatshme, nëse është e nevojshme, të përdorë arsenalin e saj bërthamor për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë. Presidenti i SHBA Joe Biden tha më 6 tetor se kërcënimi i tij e solli botën më afër “Armagedonit” që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962. Putin tha muajin e kaluar se territoret e aneksuara ukrainase do të jenë pjesë e Rusisë “përgjithmonë”. Por Rusia nuk i kontrollon plotësisht këto zona dhe kufijtë e tyre ende nuk janë përcaktuar. “Kur integriteti territorial i vendit tonë të kërcënohet, ne sigurisht se do t’i përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë”, tha Putin më 21 shtator. “Ky nuk është mashtrim”, tha ai, duke dhënë urdhër edhe për mobilizimin e qindra mijëra burrave rusë për luftën në Ukrainë. Me “të gjitha mjetet në dispozicion”, Putin natyrisht se iu referua arsenalit bërthamor të Rusisë. Sikur ai i Shteteve të Bashkuara, ky arsenal është njëri nga dy më të mëdhenjtë në botë. Më 30 shtator, gjatë një fjalimi për gjoja aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, Putin tha se Rusia do ta mbrojë territorin e saj “me të gjitha forcat dhe burimet” që ka. Ai, po ashtu, iu referua bombardimeve bërthamore të Japonisë nga SHBA-ja, më 1945, duke i cilësuar si “precedent”.








































