Kreu i agjencisë kombëtare të sigurisë kibernetike të Gjermanisë është shkarkuar pas raportimeve për lidhje të mundshme me inteligjencën ruse. Lajmi është konfirmuar këtë të martë nga Ministria e Brendshme.
Ministrja e Brendshme Nancy Faeser shkarkoi Arne Schoenbohm, si kreun e agjencisë BSI, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve dpa.
Schoenbohm bashkëthemeloi një grup të sigurisë kibernetike një dekadë më parë që mbledh së bashku ekspertë nga institucionet publike dhe sektori privat.
Mediet gjermane kanë raportuar se një nga anëtarët e saj është një kompani e themeluar nga një ish-agjent i inteligjencës ruse.
Qeveria gjermane tha më herët se po hetonte raportet në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Në Gjermani janë ngritur së fundmi shqetësimet se infrastruktura kritike e vendit, mund të jetë në shënjestër të Rusisë, për shkak të mbështetjes së Berlinit për Ukrainën.
Kujtojmë se një javë më parë u bllokuan stacionet e trenave në Gjermaninë veriore, ndërsa autoritettet thanë se ky ishte një sulm kibernetik i gjithë sistemit.








































