Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të konfiskohen disa pasuri të Redjan Rrajës, 36-vjeçarit të arrestuar që prej nëntorit 2019 për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja në 1 nëntor të atij viti në mbikalimin e Sukthit. Në njoftimin e publikuar për mediat, SPAK kërkon që të vendosen nën sekuestro 5 pasuri të paluajtshme, 2 automjete, një send me vlerë dhe një sasi parash.
Pasuria e konfiskuar, nga ora “Rolex” te apartamenti
Në kërkesën dërguar GJKKO, kërkohet që autoritetet të vendosin këto objekte në konfiskim të nipit të deputetit të Partisë Socialiste të Krujës, Rrahman Rraja: 1 apartament, 2 ambjente, dy garazhe, 2 automjete, 1 orë “Rolex” dhe një sasi eurosh. 36-vjeçari ka regjistruar në pronësinë e tij 1 apartament, 1 ambjent dhe 1 makinë, ndërsa të tjerat i zotëron në mënyrë të tërthortë duke i regjistruar në emër të personave të tjerë. Më poshtë paraqitet e dokumentuar e gjithë pasurisa që SPAK: 1 apartament me sip. 76 m2 në Tiranë, 1 pasuri me sip. 30 m2 në Tiranë, 1 pasuri me sip. 127.5 m2 në Tiranë, 2 garazhe me sip. 18.09 m2 secila në Tiranë, 2 automjete “Audi A8”, 1 orë “Rolex” dhe 2750 euro.
Profili, Rraja u përmend për vrasjen e Elton Çiços dhe rastin e Xhisiela Malokut
Redjan Rraja u arrestua në 6 nëntor 2019 pasi në një automjet të braktisur u gjetën gjurmët e tij në armë. Kjo makinë i përkiste atentatorëve të ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja. Në atë ngjarje, Ndoja u plagos së bashku me Aleksandër Lahon (Ladi Muharremi). Ky i fundit rezulton një person i rrezikshëm dhe me ndikim të madh në Shijak. Në atentatin në mbikalimin e Sukthit mbeti i vrarë shoferi i Arjan Ndojës, Andi Maloku. Rraja, me profesion stomatolog është akuzuar dhe për vrasjen e Elton Çiços në 1 maj 2016. Rraja u akuzua se nxori në pritë Çiçon për ta ekzekutuar në zonën e ish-Bllokut nga Jani Aliaj. Kjo ngjarje ndodhi si pasojë e hasmërive mes viktimës dhe autorit. Një tjetër ngjarje që Rraja është përmendur dhe në rastin e Xhisiela Malokut, një vajzë e re që u kthye në qendër të vëmendjes publike në korrik 2018 pasi akuzoi partnerin e saj Rexhep Rrajën se e dhunoi në një dhomë hoteli. Kallëzimin e saj e mori ish-oficeri i Policisë së Fushë-Krujës, Emiljano Nuhiu. Ky i fundit u largua nga Shqipëria pasi deklaroi se Rexhep Rraja dhe kushëriri i tij Redjan Rraja e kërcënuan të mos merrte denoncimin për rrahje dhe përdhunim të Xhisiela Malokut. Në 21 nëntor 2021, Redjan Rraja së bashku me Aleksandër Llanajn dhe Fatmir Pjetrin u futën në regjimin “41 biss”. Në gusht 2022, Rraja dhe Eldi Çala, i arrestuar për grabitjen e 4.6 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit, u futën në grevë urie në burg pasi nuk iu lejuan të mbanin televizor në qeli.
Momentalisht në burg, Gjykata e Tiranës sekuestron 5 mln euro pasuri të Fatjon Muratit
Gjykata e Tiranës vendosi sekuestron preventive të pasurive të 32-vjeçarit Fatjon Murati, i cili u arrestua 7 ditë më parë në Tiranë pasi kërkohej për lidhjen me 2 dhomave me armë të gjetura në 13 korrik në kryeqytet. Trupa gjykuese pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për të sekuestruar 5 milionë euro të Muratit pasi besohet se janë krijuar si pasojë e aktiviteteve kriminale në të kaluarën. Murati rezulton i arrestuar në Itali në vitet 2015-2017 për vjedhje, armëmbajtje pa leje, trafik droge, pjesëmarrje në krime, etj. Pasuritë e sekuestruara, Fatjon Murati i ka regjistruar në emrin e nënës së tij M.M. dhe vëllait të tij Y.M.
Dyqane, pallat, etj., ja pasuria e sekuestruar e Fatjon Muratit
Pasuria e sekuestruar e Fatjon Muratit është 1 sipërfaqe ndërtimi, 1 pallat;1 apartament, 2 dyqane , 1 lavazh dhe 1 bar kafe. Saktësisht e dokumentuar këto objekte pasurore të dokumentuara nga Prokuroria e Tiranës janë: sip. ndërtimi 120 m2, njësi shërbimi (dyqan) sip. 40 m2, apartament sip. 90.30 m2, 1 ndërtesë 7+1-katëshe me sipërfaqe ndërtimi 317m2, aktiviteti tregtar me fushë veprimtarie tregti me pakicë të artikujve të imët ushqimor, bar –kafe dhe 1 lavazh makinash.
Arsenal armësh dhe ekzekutimi i Brilant Martinajt, ja pse kërkohej Murati
Në 13 korrik të këtij viti, forcat policore të komisariatit nr.2 dhe njësia “Shqiponja” arrestuan Kristian Gjinin, 25 vjeç dhe Françeska Kolgjegjën, 22 vjeçe teksa në banesa të marra me qira nga Gjini u gjet një arsenal i madh armësh dhe pajisjesh të policisë. Në varësi të kërkimeve, policia shpalli Fatjon Muratin të lidhur me këtë arsenal armatimi. Nëpërmjet operacionit “Ruger” u sekuestruan: 4 pistoleta, 2 automatikë, 4 silenciatorë, 7 maska, 2 radio policie, një thikë, sasi cannabis sativa, fishekë të kalibrave të ndryshëm, dorashka, krehra, dokumente të flasifikuara, targa të huaja dhe 2 automjete. Por, 32-vjeçari Fatjon Murati kërkohej nga policia për të dëshmuar mbi ngjarjen e rëndë të 17 korrikut në mbikalimin e Fushë-Krujës ku u ekzekutuan brutalisht me 60 plumba Brilant Martinajt, Diklen Vata (kushërinj) dhe Besmir Hoxha. Murataj mendohet se ka dijeni për ngjarjen dhe personat e përfshirë në të. Mbrëmjen e së shtunës së kaluar, ai po ecte me një makinë të blinduar së bashku me Indrit Doklen, ish-nr.2 të bandës famëkeqe të Durrësit.