I ftuar në emisionin “Sport News” në “News 24”, tekniku Shpëtim Duro foli për derbin mes të kuqve dhe Tiranën, por dhe për gjendjen në kampionat, duke thënë se Tirana bëri diçka fantastike në derbi, ndërsa për Partizanin shtoi se skuadra duhet të mësojë nga gabimet. “Partizani ka pasur një ecuri të mirë në derbi. Nga viti 2014 deri në 2019 nuk kishte humbje. Këto dy tre vitet e fundit Tirana është më e suksesshme në derbi. Është e njëjta situatë si me Partizanin. Nuk ka diferenca mes Partizanit dhe Tiranës. Janë dy skuadra që do të jenë rival për titullin kampion. Ato dhe Vllaznia. Derbi është shumë i rëndësishëm dhe do përqendrim. Është e rëndësishme si ti përgatitësh. Shehi e ka përgatitur më mirë edhe në fushën e lojës rezultoi superior në zgjedhjet e bëra. Tirana luajti me 10 futbollistë dhe shënoi dy gola. Kjo është diferenca në derbi. Trajneri i Partizanit tha se nuk i bindet ekipi. Ai duhet të reflektojë se kush janë këta futbollistë. Partizani ka një skuadër të mirë. Aty duhet një drejtim me personalitet. Ka lojtarë shumë të mira, por kanë shumë teka. Tirana është më skuadër se Partizani. Të shohim se kush nuk do të luajë në ndeshjen tjetër. Derbi ka shumë impakt, sipas rezultatit. Ka ndikuar në opinion. Është shumë i rëndësishëm. Partizani është në vendin e parë. Tani është në pritje për të marrë hak. Të jemi realist. Partizani në epokën “Demi” ka qenë aty. Partizani ka qenë skuadra më kryesore e kampionatit. Ka të gjithë parametrat për t’u shpallur kampion. Ka kushtet financiare, organikën, një kompleks modern. Unë që po flas sot i kam përjetuar të tre rezidencat e Partizanit. I kompleton më shumë kushtet për të pasur tifozeri. Është një gjë plus për të dalë kampion. Tirana fitoi një ndeshje që unë mendoj se nuk duhet të harrohet. Të jesh nga minuta e 30’ me 10 veta dhe ta fitosh është diçka e veçantë”, theksoi Duro.