Google search engine
Home Politike PS mbledh sot Kryesinë, në fokus të diskutimeve përzgjedhja e kandidatëve për...

PS mbledh sot Kryesinë, në fokus të diskutimeve përzgjedhja e kandidatëve për kryetar bashkie në zgjedhjet 2023 dhe zëvendësimi i Ahmetajt si drejtues i Vlorës

0
158

Partia Socialiste ka filluar përgatitjet për zgjedhjet vendore 2023. Gazeta ka mësuar se sot socialistët do të mbledhin kryesinë në orën 18:00. Në kryesi pritet që të diskutohet përzgjedhja e kandidatëve për kryetar bashkie. Ende nuk është përcaktuar një ditë për zgjedhjet vendore 2023, ndërsa pritet që të mbahen në pranverë, në muajt prill ose maj. PS shkon në këto zgjedhje përballë një opozite e cila është e ndarë në tre fronte, nga njëra anë Partia e Lirisë me në krye Ilir Metën, nga ana tjetër edhe PD e ndarë në dy grupe, ai i Enkelejd Alibeajt dhe ai i Sali Berishës. Ndonëse të ndarë në tre fronte, nuk kanë munguar thirrjet e deputetëve të opozitës që të dalin bashkë në këto zgjedhje përballë mazhorancës. Megjithatë, ndryshe nga Partia Demokratike e Berishës, socialistët nuk do t’i zgjedhin kandidatët e tyre për bashkitë nëpërmjet primarëve, por emrat do të kalojnë vetëm nga dora e kryesocialistit Edi Rama.

Zëvendësimi i Ahmetajt si drejtues politik i Vlorës

Por përveç përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2023, këtë të martë në orën 18:00 Edi Rama do të mbledhë Kryesinë e Partisë Socialistë edhe për të diskutuar nisjen e sesionit të ri politik, si dhe për t’i gjetur zëvendësuesin Ahmetaj. Burimet bëjnë me dije se emrat më të mundshëm për të drejtuar Vlorën në prag të fushatës zgjedhore janë Blendi Klosi, Bledar Çuçi dhe Belinda Balluku. Mirëpo përveç Vlorës mund të jetë edhe Shkodra një qark që mund të ndryshojë drejtim pasi ministrja e Shtetit, Edona Bilali, është në pritje të ëmbël dhe PS-së i nevojiten shumë energji që në zgjedhjet vendore të luftojë për bastionin e vetëm që i ka mbetur demokratëve. Po ashtu, Kryesocialisti do të kërkojë nga anëtarët e kryesisë edhe një analizë të situatës në qarqet që ata drejtojnë për punën e strukturave të Partisë Socialiste.

Gjiknuri: Jo primare në PS

Sidoqoftë, sikundër gazeta e deklaroi më sipër nga burime brenda Partisë Socialiste, socialistët, ndryshe nga demokratët, nuk besojnë tek përzgjedhja e kandidatëve si për deputetët, ashtu dhe për kryetarë bashkie nëpërmjet primareve. Kjo është bërë e ditur dhe është pohuar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, i cili, si provë që filtrimi i kandidaturave nga vota e anëtarësisë nuk rezulton gjithmonë i suksesshëm sjell rastin e Përmetit në 2015-ën, kur socialistët besuan tek dega e partisë dhe humbën një bastion historik të tyre. “Ndonjëherë përzgjidhesh në një grupim të vogël partiak sepse kontrollon partinë, je kryetar partie, por mund të ndodhë që nuk ke mbështetjen e qytetarëve dhe ç’më duhet mua në fund pastaj, përzgjedhja e brendshme që doli nga një garë që kontrollohej nga drejtimi i partisë lokale, siç edhe përmenda rastin në fjalë i cili është shembull për t’u marrë parasysh gjithmonë”, deklaroi ai. Ndaj kur de fakto kampet politike kanë nisur punën për organizimin e zgjedhjeve lokale të pranverës së ardhshme, Gjiknuri pohoi gjatë një prononcimi për mediat këtë fundjavë se selia roze do të vazhdojë t’i përzgjedhë kandidaturat e saj me metodën tradicionale: ekskluzivitet i Kryesisë dhe kryetarit të partisë. “Nuk duam të vendosim humbësa thjesht sepse e do X-i apo Y, apo ka ndonjë preferencë të caktuar partiake. Përkundrazi ne na duhen njerëz që kanë integritet, por mbi të gjitha që garantojnë që fitojnë dhe pëlqehen nga qytetarët”, nënvizoi Gjiknuri. E duke e pasur vetë fatin e rikandidimit të tyre, Kryesocialisti Rama ju ka bërë të qartë kryetarëve aktualë që jo të gjithë do e kenë një shans të dytë. Për Erjon Veliajn në emisionin “Opinion” la të kuptohet se do ta ketë mundësinë, ndërsa ajo që dihet me siguri është që Dritan Leli i Vlorës e ka mbyllur kapitullin e drejtimit të kësaj bashkie kur refuzoi të ishte në listat e kandidatëve për deputet në 2021.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here